Pyetja:
A lejohet përdorimi i kremit me alkool?
***
Përgjigjja:
Kjo mesele ka të bëjë me faktin nëse alkooli është i pastër apo i papastër, për çka edhe kanë diskutuar ulemaja (dijetarët), duke dhënë dy shpjegime për ajetin kur’anor:
”O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (Maide: 90)
Mendimi parë i dijetarëve –që janë shumica dërrmuese- mendojnë se alkooli është i papastër, ngase Allahu i Lartësuar e ka përmendur në “vepra të ndyta të shejtanit”.
Ndërsa grupi i dytë i dijetarëve në fjalën “vepra të ndyta të shejtanit” thonë se këtu është fjala për ndyrësira dhe papastërti kuptimore e jo papastërti reale.
Në kohën kur ka zbritur ky ajet kur’anor, në zbatim të urdhrit të Allahut, sahabët r.a. enët e mbushura me verë i kanë derdhur në rrugët dhe tregjet e Medinës, kështu që po që se do ta konsideronin alkoolin të papastër, nuk do të vepronin kështu, ngase hedhja e papastërtisë në rrugë nuk është e lejuar. Këtë mendim e përkrahin shumë prej dijetarëve bashkëkohorë.
Duke pasur parasysh se përbërja e alkoolit në kremra kozmetikë është me përqindje të vogël, themi se përdorimi i kremrave dhe parfumeve që kanë përbërje alkoolit medicinal është i lejuar.
Gjithashtu i shtohet fakti se në kremra alkooli është i tretur, respektivisht ka humbur dhe nuk ka më efekt, sikurse një ndyrësirë e vogël nëse bie në sasi të madhe të ujit, humb, tretet dhe nuk e ndot ujin. Mirëpo nëse në ato kremra ka sasi të mëdha alkooli, si p.sh. në disa nga ato kremra apo parfume shënon 60%-70% alkool, atëherë nuk lejohet përdorimi i tyre; minimumi është e dyshimtë, andaj edhe duhet t’i largohemi.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi