Mbajtja e unazës që të dhuron e fejuara

181. I nderuar hoxhë! A lejohet mbajtja e unazës që të dhuron e fejuara?

Përgjigjja: Sa i përket mbajtjes së unazës prej ari për meshkujt, nuk bën assesi. Kush mban ar në trupin e tij, unazë, qarkore, hallkë etj., le ta dijë se është duke mbajtur një gacë nga xhehenemi.

Muslimi transmeton nga Abdullah bin Abbasi r.a.: “I Dërguari i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ia ka parë unazën prej ari një njeriu në dorën e tij, ia hoqi atë, e hodhi dhe tha: “Ndonjëri prej jush synon gacën prej zjarrit (të xhehenemit) dhe e vendos në dorën e vet.”

Pasi shkoi i Dërguari i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], (sahabët) i thanë njeriut: “Merre unazën tënde dhe përdore atë (d.m.th. për diçka tjetër)”. Tha: “Jo, për Allahun! Kurrë nuk do ta marr pasi e ka hedhur i Dërguari i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem].”[1]

Ndërsa sa i përket unazës prej argjendi nuk prish punë.

Natyrisht që kjo nuk ka qenë traditë e muslimanëve të parë, por është përhapur gjithandej nëpër botë, thuajse tek të gjithë popujt e botës, pa dashur dhe pa synuar për ta pasuar njërin apo popullin tjetër, andaj sikur është bërë pjesë e kulturës së çdo populli. Ngjashëm me këtë janë edhe veshjet tona, pantallonat i veshin burrat, fustanet i veshin femrat dhe shumë gjëra të tjera.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Muslimi nr. (2090) 52.