Pyetja:
Kam blerë një qafore ari ku është shkruar emri Allah. A bën të mbahet apo jo?
***
Përgjigjja:
Sa u përket meshkujve, përdorimi i çfarëdo stolie prej ari është i ndaluar, ngase stolitë e arit dhe mëndafshi janë stoli të veçanta që u lejohen vetëm femrave. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Është bërë haram për meshkujt e umetit tim mëndafshi dhe ari, ndërsa u është lejuar femrave.” [1]
E sa u përket femrave, lejohet përdorimi i stolive të arit kudo në trup, ndërsa përdorimi i qafores prej ari në të cilën është shkruar emri Allah, Bismilah apo ndonjë ajet kur’anor nuk është i lejuar për arsye se me këtë veprim i bëhet përngjasim jobesimtarëve, ngase të krishterët mbajnë qafore me kryq dhe idhuj të ndryshëm, hebrenjtë mbajnë qafore me yllin e Davudit alejhi selam.
E nëse edhe muslimanët do të mbanin qafore ku shkruhet emri i Allahut apo Ajeti Kursij, do të konsiderohej si një përpjekje për t’i imituar jobesimtarët, çka është e ndaluar. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush i përngjan një populli, ai është prej tyre.” [2]
Në anën tjetër, vendosja e emrit të Allahut në qafore është nënçmim i emrit të Allahut, ngase duke e mbajtur këtë qafore njeriu hyn në banjë, fle si dhe mund të bëjë edhe veprime të tjera të përditshme, por emri i të madhit Allah duhet të jetë larg këtyre vendeve.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
———————–
[1] Tirmidhiu, nr. 1720, dhe ka thënë: “Është hasen-sahih”. Albani e konsideron sahih.
[2] Ebu Davudi, nr. 4031. Albani e ka konsideruar hasen sahih.