Pyetja:Unë kam një sasi ari të vjetër, a mundem ta ndërroj me ari të ri si dhe të shtoj të holla shtesë?
Përgjigja: Ndërrimi i arit të vjetër me arin e ri duke shtuar të holla shtesë nuk lejohet, ngase kjo konsiderohet kamatë. Ubade bin Samit r.a. transmeton duke thënë: ”E kam dëgjuar Pejgamberin e Allahut ﷺ duke ndaluar nga shitja e arit për ar, argjendit për argjend, grurit për grurë, elbit për elb, hurmave për hurma, kripës për kripë, vetëm se në sasi të njëjtë dhe dorë në dorë. E kush kërkon shtesë apo paguan shtesë, ka marrë kamatë.” [1]
Ky hadith na tregon se lejohet shitja apo ndërrimi i arit me ar, argjendit me argjend, nëse veprohet menjëherë në dorë dhe pa tepricë në peshë, ndërsa ndalohet ndërrimi i arit me ar, argjendit me argjend nëse nuk bëhet pagesa në dorë, pra nëse bëhet pagesa me veresi apo nëse ka tepricë në peshë.
Duke pasur parasysh se çmimi i arit të vjetër në treg dallon nga çmimi i arit të ri, në këtë rast mënyra e lejuar do të ishte që ju ta shitni arin e vjetër me pagesë në dorë dhe pastaj me ato të holla të blini çka të doni prej modeleve të arit të ri.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
————————————————————
[1] Muslimi, nr. (1587) 80.