Pyetja:
Kush do të jenë ata që e meritojnë shefatin?
***
Përgjigjja:
Fjala shefat do të thotë ndërmjetësim për ndokënd me qëllim të përfitimit të dobisë apo evitimit të dëmit. Shefati ndahet në dy kategori:
1. Shefati që ka të bëjë me çështjet e kësaj bote.
Edhe ky lloj shefati ndahet në dy grupe:
a) Ndërmjetësimi (shefati) të cilin njeriu ka fuqi dhe mundësi ta kryejë; sikurse fjala vjen, ndërmjetësimi për punësimin e dikujt, ndërmjetësimi për pajtimin e dy palëve të armiqësuara, apo ndërmjetësimi për shërimin e dikujt, e kështu me radhë.
Ky lloj ndërmjetësimi është i lejuar me kusht që të jetë për çështjet e lejuara dhe që me anë të ndërmjetësimit të mos shkelen të drejtat e dikujt tjetër apo të mos i bëhet padrejtësi. Ndërmjetësimi është i ndaluar për rastet kur njeriu e meriton dënimin sipas mësimeve të sheriatit për shkak të ndonjë krimi të kryer. Allahu xh.sh., thotë:
“Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. Kini drojë dënimit të Allahut, se me të vërtetë Allahu është ndëshkues i fortë.” (Maide: 2)
Në lidhje me këtë na sqaron hadithi i Pejgamberit ﷺ, të cilin e transmeton Aishja r.a.: “Kurejshët i kishte dëshpëruar rasti i një gruaje nga fisi Mahzumij, e cila kishte vjedhur. Thanë: “Në lidhje me këtë kush do të bisedojë me Pejgamberin ﷺ?” Kush guxon tjetër përveç Usame bin Zejdit, të dashurit të Pejgamberit ﷺ, konstatuan ata. Usameja ia paraqiti rastin Pejgamberit ﷺ, kurse ai iu përgjigj: “A do të ndërmjetësosh në lidhje me (ligjin) rregullin e Allahut?!” Atëherë u ngrit dhe mbajti fjalimin: “O ju njerëz! Ata që kanë qenë para jush i ka shkatërruar veprimi që kur vidhte ndonjë njeri me autoritet, e lironin (nga dënimi), ndërkaq nëse vidhte ndonjë i dobët, e dënonin. Për Allahun, sikurse edhe Fatimja, e bija e Muhamedit të kishte vjedhur, me siguri do t’ia prisja dorën.” [1]
b). Ndërmjetësimi (shefati) realizimi i të cilit nuk është në mundësinë dhe fuqinë e njeriut; siç është kërkimi i ndërmjetësimit prej njerëzve të vdekur, ose kërkimi i ndërmjetësimit nga personi i gjallë, por që nuk është prezent duke i atribuuar cilësi që janë ekskluzive vetëm për Allahun xh.sh.. Ndalimi i kërkimit të këtij lloj ndërmjetësimi është sqaruar në shumë ajete dhe hadithe të sakta, prandaj nuk ka vend për asnjë dyshim.
2. Shefati i botës tjetër në Ditën e Gjykimit.
Ky shefat është dy llojesh:
I pari: Ndërmjetësimi (shefati) i veçantë, i cili është i rezervuar për Pejgamberin ﷺ dhe në këtë lloj ndërmjetësimi nuk e shoqëron askush. Ky ndërmjetësim ndahet në disa kategori:
a) Ndërmjetësimi (shefati) i madh. Në Ditën e Gjykimit njerëzit do të tubohen në mahsher-vendtubim për të dhënë llogari për veprat e bëra dhe për shkak të mosfillimit të gjykimit, të gjithë njerëzimin do ta kaplojë frika, brenga e mërzia deri në atë masë sa nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë. Njerëzit do t’u drejtohen Pejgamberëve duke filluar prej Ademit alejhi selam për të ndërmjetësuar tek Allahu i Lartësuar që të fillojë gjykimin. Por ai dhe të gjithë Pejgamberët e tjerë radhazi do ta refuzojnë këtë ndërmjetësim, derisa të vijnë te Muhamedi ﷺ, i cili do t’u thotë njerëzve: ”…mua më takon ndërmjetësimi (shefati), mua më takon.”
Pastaj Muhamedi ﷺ do të ndërmjetësojë te Zoti i Lartësuar për fillimin e gjykimit, pastaj do të fillojë gjykimi. Ky është ndërmjetësimi (shefati) i madh, i cili është prej specifikave të Pejgamberit tonë ﷺ.
b) Ndërmjetësimi (shefati) për banorët e xhenetit për të hyrë në xhenet. Enes ibën Maliku r.a., ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Në Ditën e Gjykimit do t’i afrohem derës së xhenetit dhe do të kërkoj që të hapet. Roja e xhenetit do të pyesë: “Kush je ti?” Do të them: “Unë jam Muhamedi.” Roja do të thotë: “Jam urdhëruar për ty dhe të mos ia hap derën askujt para teje.” [2]
c) Ndërmjetësimi (shefati) i Pejgamberit ﷺ për xhaxhanë e tij, Ebu Talibin.
d) Ndërmjetësimi (shefati) i Pejgamberit ﷺ për disa pjesëtarë të umetit që të hyjnë në xhenet pa dhënë fare llogari.
I dyti: Ndërmjetësimi (shefati) i përgjithshëm. Në këtë ndërmjetësim, përveç Pejgamberit ﷺ, do të marrin pjesë edhe të tjerët prej melekëve, Pejgamberëve, njerëzve të mirë, dëshmorëve, hafizëve të Kur’anit etj.. Ky shefat ndahet në disa kategori:
a) Ndërmjetësimi për ata që kanë hyrë në xhehenem, për të dalë nga zjarri;
b) Ndërmjetësimi për njerëzit që e kanë merituar hyrjen në zjarr, që të mos hyjnë në xhehenem;
c) Ndërmjetësimi për banorët e xhenetit që t’u ngrihen gradat e shpërblimit në shkallët më të larta të xhenetit.
Që shefati të jetë i pranueshëm në botën tjetër, kërkohet plotësimi i kushteve:
1. Allahu të jetë i kënaqur me atë për të cilin bëhet ndërmjetësimi. Allahu xh.sh., thotë:
“…dhe ata nuk përpiqen të ndihmojnë pos për atë me të cilin është i kënaqur Ai, e ata nga frika prej Tij janë të kujdesshëm.” (Enbija: 28)
Kjo do të thotë se ndërmjetësimi nuk mund të bëhet për atë që nuk ka iman në Allahun xh.sh..
2. Leja e Allahut për ndërmjetësuesin që të ndërmjetësojë. Allahu xh.sh., thotë:
“Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, pos me lejen e Tij.” (Bekare: 255)
3. Allahu xh.sh. të jetë i kënaqur me ndërmjetësuesin. Allahu xh.sh., thotë:
“E sa engjëj ka që janë në qiej, e që ndërmjetësimi i tyre nuk bën dobi asgjë, vetëm pasi Allahu të japë leje për atë që dëshiron dhe që është i kënaqur për të.” (Nexhm: 26)
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
——————————
[1] Buhariu, nr. 6788; Muslimi, nr. (1688) 8.
[2] Muslimi, nr. (197) 333.