Pyetja:
Si mund ta arrijmë koncentrimin në namaz?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Pejgamberin ﷺ
Për ta arritur koncentrimin në namaz nuk është gjë e lehtë, por as e pamundur jo. Allahu i Madhëruar thotë: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët: ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit“. (Muminun: 1–2)
Në një ajet tjetër thotë: “Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtet, ajo është e madhe (vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin).” (Bekare: 45)
“Vazhdoni rregullisht namazet (faljet), e edhe atë namazin e mesëm, dhe ndaj Allahut të jeni respektues.” (Bekare: 238)
Ndër hapat për koncentrim janë: të marrim abdes para se të nisemi për xhami, të falemi me xhemat, në xhami, ta zgjedhim një xhami të qetë, t’i falim sunetet para namazit dhe ta falim namazin sikur të jetë namazi ynë i fundit, t’i largojmë nga mendja dhe zemra problemet dhe prokupimet e dunjasë. Poashtu prej shkaqeve të cilat ndihmojnë në koncetrimin në namaz me lejen dhe ndihmën e Allahut, është t’i dish kuptimet e ajeteve dhe duave të cilat i lexon brenda namazit. Prej pikave më të rëndësishme në këtë drejtim dhe jo vetëm është të bësh dua shpesh dhe shumë për ta arritur këtë, por duhet ditur qartë se arritja e koncentrimit në namaz nuk ndodh menjëherë, pra brenda pak ditësh, por për të duhet munduar vazhdimisht.
Hoxhë Zejd Haziri
Comments are closed.