Gjykimi mbi hajmalitë me Kuran
Pyetje: Çfarë gjykimi ka në islam mbartja e hajmalive me Kuran e me tjetër gjë veç Kuranit?
Përgjigje: Sa i përket hajmalive të tjera që nuk përmbajnë ajete Kurani, si hajmalitë me kocka, hajmalitë me simbole, hajmalitë prej guaskash apo ato me qimet e ujkut e të ngjashme. Të gjitha këto janë një e keqe e madhe dhe e ndaluar tekstualisht në fe. Varja e tyre në qafën e fëmijës apo dhe të tjerëve veç fëmijëve nuk lejohet në fenë tonë. I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të ka thënë: Kush mban hajmali që ti plotësohen dëshirat, Allahu nuk ia plotëson ato, e kush mban hajmali që Allahu ta mbrojë atë, Allahu nuk e mbron me të. Në një version tjetër: Kushdo që mban hajmali ka rënë në idhujtari (politeizëm).
Hajmalia nëse është me Kur’ani ose me lutje të njohura e të mira, dijetarët për këtë çështje janë në mospajtim. Disa kanë thënë se lejohet të varësh një hajmali të tillë. Këtë mendim e kanë dhënë disa prej dijetarëve të parë. Ata e kanë konsideruar këtë si recitimi ndaj të sëmurit.
Mendimi i dytë: Hajmali të tilla nuk lejohen të mbarten. Ky është mendimi i Abdullah ibn Mesudit i Hudhejfes dhe disa prej dijetarëve të parë e të mbramë. Ata kanë thënë: Hajmali të tilla nuk lejohet ti mbartësh edhe pse janë me Kuran. Kështu mbyllim shtegun e së keqes, eliminojmë shkaqet e idhujtarisë dhe njëkohësisht kemi zbatuar përgjithësimin e tekstit ligjor sepse hadithet që paraqesin ndalimin e hajmalive janë hadithe të përgjithshme e në to nuk gjejmë asnjë përjashtim. Kështu që është detyrë që të veprojmë sipas përgjithësimit duke mos lejuar mbartjen e asnjë lloj hajmalie sepse lejimi i kësaj hajmalie sjell mbartjen e llojeve të tjera të hajmalive dhe krijon pështjellim.
Të gjitha llojet e hajmalive duhen ndaluar e ky është qëndrimi më i saktë dhe argumentet e mbështesin qartazi diçka të tillë.
Lejimi i hajmalive me Kuran e me lutje të mira do të hapte derën çdo personi të mbarte lloj lloj hajmalish e nëse dikush pastaj do ta kritikonte ai do thë thoshte: Kjo është hajmali me Kuran?!
Këtu kemi dhe një shkak të tretë: Personi që mbartë një të tillë mund të futet me të në tualet e në vende të ndyta e fjala e Allahut qëndron lart me të nuk mund të futesh në tualet apo vende tw ndyta.
Koleksioni i Fetvafe të ish myftiut të Arabisë Saudite Shkëlqesisë së tij Abdulaziz ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) (1\5).
Përktheu: Arjan Haskasa