Para se të fillohet me shtjellimin, është e udhës t’i bëhet një rikujtim i shkurtër gjërave që e prishin agjërimin, që të shërbejë si ndihmesë për kuptimin e dispozitave që do të trajtohen.

Fillimisht, dijetarët kanë konsensus (ixhma) se tri gjëra e prishin agjërimin, e ato janë:

1. Ushqimi

2. Pija

3. Marrëdhëniet intime

Prej këtyre trijave, ushqimi dhe pija janë ato që meritojnë të vihet theksi mbi to, ngase lidhen me çështjet që do të trajtohen në rreshtat vijues të këtij libërthi.

Atëherë, kush ha apo pi e prish agjërimin. Kjo vlen pavarësisht se a fut në stomakun e tij diç që ka vlerë ushqyese apo diç që nuk është e tillë (si p.sh. gëlltitja e guralecëve).

Po ashtu, është me rëndësi të kuptohet se përveç ushqimit dhe pijes, agjërimin e prish edhe çdo gjë tjetër që është në kuptimin e ushqimit apo pijes. Kështu, nëse njeriu merr infuzion, agjërimi i tij prishet edhe pse nuk është ushqim apo pije e cila depërton nëpërmjet ezofagut, mirëpo konsiderohet në kuptim të tyre, ngase trupi ushqehet dhe mbijeton pa pasur nevojë për ushqim dhe pije.

Nëse kjo është e qartë, para lexuesit janë numër i konsiderueshëm i çështjeve mjekësore bashkëkohore të cilat lidhen me agjërimin, bashkangjitur me dispozitat përkatëse.

Ky libërth është transkript i ligjeratës me po të njëjtin titull që e kam mbajtur në xhaminë Ilirida në qytetin e Mitrovicës (2018), të cilën pastaj e ka hudhur në letër njëri prej nxënësve dhe ma ka dorëzuar për korigjim.

Jam munduar t’i përmledh çështjet kryesore duke e përmendur dispozitën që e besoj si të saktë, pa u zgjeruar në përmendjen e referencave, mendimeve të ndryshme të dijetarëve; emrave dhe argumenteve të tyre, për të mos e shndërruar nga diç që i dedikohet masës së gjerë të muslimanëve në diç që përfitojnë vetëm kërkuesit e dijes.

Lus Allahun që të bëjë dobi me këtë libërth, sidomos mjekëve dhe infermierëve të cilët ballafaqohen me çështjet e këtilla në punën e përditshme të tyre përgjatë muajit të ramazanit.

I. Çështje që lidhen me sistemin e tretjes (traktin digjestiv)

1. Gargara (shpërlarja e fytit)

Fillimisht, duhet pasur parasysh se shpërlarja e gojës nuk e prish agjërimin përderisa nuk depërton diçka në fyt e pastaj të shkojë në stomak.

Kurse sa i përket gargarës e cila bëhet për trajtimin e sëmundjeve si pezmatimi i fytit, gjatë së cilës përdoret uji i kriposur apo medikamente të ndryshme, nëse ajo që përdoret nuk depërton në brendi nuk e prish agjërimin.

Megjithatë, nëse diçka e tejkalon fytin dhe shkon në brendi pa qëllimin e njeriut, agjërimi i tij nuk prishet.

2. Mjekimi i dhëmbëve

Pjesa që ka të bëjë me agjërimin në këtë proces mjekësor, është anestezioni lokal, uji që përdoret për ftohjen e mjeteve që i përdorë dentisti për grryerjen e dhëmbit dhe vendosja e ilaçit në dhëmb.

a) Anestezioni lokal: sipas mendimit më të saktë nuk e prish agjërimin ngase nuk ka depërtuar në stomak, e as në fyt paraprakisht.

Poashtu, ky anestezion nuk ka vlerë ushqyese, por përdoret për të zhdukur ndjeshmërinë ndaj dhembjes te pacienti dhe për t’ia lehtësuar punën dentistit duke e pakësuar tajitjen e pështymës.

b) Përdorimi i mjetit që liron ujë: nuk e prish agjërimin, përderisa uji mbetet në gojë. Andaj duhet të udhëzohet mjeku që ta përdorë mjetin thithës.

Mirëpo, sikurse u cek më lart, nëse depërton diç prej ujit pa dashje, agjërimi mbetet i paprishur.

Megjithatë, preferohet që vizitat e këtilla mjekësore të bëhen pas iftarit.

c) Ilaçi që vendoset në dhëmb: nuk e prish agjërimin, madje edhe nëse pacienti e ndien shijen e ilaçit.

Mirëpo duhet të ketë kujdes agjëruesi që mos ta përziejë me pështymë e ta përpijë, por në momentin që e heton shijen e ilaçit duhet ta hudhë jashtë gojës.

3. Medikamentet që përdoren nën gjuhë

Ndodh që agjëruesi të ketë nevojë për medikamente mjekësore që efektin e arrijnë duke u vendosur nën gjuhë .

Këto medikamente nuk e prishin agjërimin ngase nuk depërtojnë në stomak.

Por, duhet pasur kujdes që nëse mbetet nën gjuhë diç prej këtyre medikamenteve të mos gëlltitet.

4. Gastroskopia (ekzaminimi i stomakut përmes endoskopit)

Gastroskopia është procedurë mjekësore që realizohet duke e futur një tub të hollë e të gjatë (endoskopin) brenda trupit të njeriut, për të diagnostifikuar sëmundje të ndryshme.

Ajo që lidhet me agjërimin në këtë proces është anestezioni lokal dhe futja e endoskopit.

Sa i përket anestezionit lokal, ai shërben për mpirjen e fytit të pacientit, që mos të ndien dhimbje por edhe që të mos ketë vjellje gjatë futjes së endoskopit.

Nëse ky anestezion është sprej apo tretësirë që depërton brenda e prish agjërimin. Ndërsa, nëse bëhet në ndonjë mënyrë tjetër nga jashtë, pa pasur diç që depërton, atëherë nuk e prish agjërimin.

Kurse sa i përket endoskopit, duhet të kihet parasysh se në fundin e tij përmban një mikro kamerë dhe disa vrima që shërbejnë për hudhjen e ajrit e të ujit, me qëllim të depërtimit më të lehtë dhe pastrimit të kamerës.

Rrjedhimisht, futja e tij në stomak mund të ndahet në dysh:

a) Futja e endoskopit pa përdorimin e ujit

Sa i përket kësaj çështjeje, dijetarët nuk janë të një mendimi:

– Shumica e dijetarëve thonë se një gjë e tillë e prish agjërimin. Kjo, ngase në trup është futur diçka që ka arritur në stomak.

– Dijetarët Hanefij në anën tjetër, e kushtëzojnë që ajo që futet në stomak të qëndrojë aty. Ndërsa, nëse diçka futet e nxirret nuk e prishë agjërimin.

Ky është edhe mendimi i një pjese të dijetarëve bashkëkohorë.

b) Futja e endoskopit e shoqëruar me ujë apo ndonjë materie tjetër (sikurse kontrasti).

Në këtë rast agjërimi prishet, ngase këto gjëra nuk nxirren së bashku me endoskopin, por mbesin për të vazhduar në zorrën dymbëdhjetë gishtore.

 

 

II. Çështje që lidhen me sistemin e frymëmarrjes (traktin respirator)

1. Përdorimi i pompës së astmës.

Astma është një sëmundje që shkakton bllokimin e bronkeve dhe vështirëson frymëmarrjen. Kurse për lirimin e tyre përdoret pompa që quhet ‘bronchodilator’.

Kjo pompë përmban 10 mililitra prej medikamentit dhe shërben për 200 spërkatje. Ndërsa secila spërkatje përmban më pak se një pikë uji.

Spërkatja bëhet me qëllim që ilaçi të arrijë në mushkri, mirëpo, ndodh që një pjesë e vogël të mbetet në laring ose faring, por edhe ngjan që një pjesë tepër e vogël të depërtojë në stomak.

Sëkëndejmi, dijetarët kanë mospajtim rreth dispozitës së përdorimit të saj gjatë agjërimit. Megjithatë, shumica dërmuese e dijetarëve bashkëkohorë thonë se nuk e prish agjërimin.

Kurse si argument e përdorin analogjinë (kijasin) me shpërlarjen e gojës gjatë së cilës ekziston mundësia që një pjesë e vogël e ujit të arrijë në stomak, megjithatë nuk e prishë agjërimin.

Ngjashëm, mund të bëhet analogji me përdorimin e misvakut i cili në vete përmban substanca të cilat mund të depërtojnë në stomak, përkundër kësaj mundësie i është lejuar agjëruesit përdorimi i tij, madje gjatë gjithë ditës së agjërimit sipas mendimit më të saktë.

Sidoqoftë, më mirë është të mos përdoret kjo pompë gjatë agjërimit, përveç nëse i sëmuri ka ndonjë atak të astmës.

2. Inhalimi me oksigjen.

Inhalimi nuk e prish agjërimin ngase nuk ka diç që depërton në stomak. Për më tepër, ai konsiderohet sikurse thithja e ajrit, në të cilin edhe gjendet oksigjeni.

Megjithëse oksigjeni që ruhet në bombol është në gjendje të lëngët, ai del prej aty në gjendje të gaztë gjatë procesit të inhalimit.

3. Anestezioni i plotë që jipet përmes frymëmarrjes.

Anestezioni përmes rrugëve të frymëmarrjes që jipet para operimeve nuk e prish agjërimin. Mirëpo, tek operimet janë disa çështje anësore që lidhen me agjërimin:

a) Humbja e vetëdijes: nëse ajo zgjatë prej para agimit të mëngjesit deri në perëndim të Diellit, atëherë agjërimi prishet sipas mendimit më të saktë.

Ndërsa nëse humbja e vetëdijes zgjat vetëm një pjesë të ditës, agjërimi nuk prishet.

b) Infuzionet ushqyese që jipen gjatë operimit: e prishin agjërimin, siç do të sqarohet në vijim të këtij libërthi.

 

 

III. Çështje të tjera mjekësore

1. Injeksionet

Injeksionet janë disa lloje:

a) Injeksionet që jipen në vena (intravenoze)

Këto ndahen në dysh:

– ushqyese (sikurse glukoza, NaCl, Ringer, plasmioni):

Këto e prishin agjërimin ngase janë në kuptim të ushqimit dhe pijes, dhe bëjnë që njeriu të mjaftohet me to e të jetojë pa ushqim e pije të zakonshme edhe pse mund të ndiejë uri apo etje.

– jo ushqyese (sikurse ato që përdoren për të futur KONTRAST në vena për procedura diagnostike ( Rtg, CT , MRI)): nuk e prishin agjërimin ngase nuk janë në kuptim të ushqimit dhe pijes.

b) Injeksionet që jipen në muksuj (intramuskulare)

Në këtë kategori hyjnë antibiotikët dhe vaksinat e ndryshme.

Injeksionet e këtilla nuk e prishin agjërimin ngase nuk janë ushqyese.

c) Injeksionet që jipen nën lëkurë (sikurse insulina): nuk e prishin agjërimin për të njëjtën arsye.

d) Injeksionet që jipen për qëllime estetike (sikurse largimi i rrudhave apo fryerja e disa pjesëve të trupit): nuk e prishin agjërimin ngase përmbajnë kalogjen dhe botoks e nuk janë ushqyese.

Atëherë, mund të konkludohet si rregull i përgjithshëm se ato injeksionet që nuk janë ushqyese nuk e prishin agjërimin.

2. Dializa (pastrimi i veshkëve)

Dializa është dy lloje:

a) hemodializa: pastrimi i veshkëve përmes aparatit.

Kjo rëndom bëhet duke shkuar në ambulantë e të ngjashme dhe është proces që zgjatë rreth katër orë, kurse duhet të bëhet tre herë në javë.

Pacentit i nxirret gjaku, i pastrohet përmes aparatit dhe i rikthehet sërish në organizëm. Mirëpo, përgjatë këtij procesi hudhen në gjak edhe disa materie të tjera prej të cilave edhe sheqerna të cilat janë ushqyese. Sëkëndejmi, hemodializa konsiderohet prej gjërave që e prishin agjërimin.

b) Dializa peritoneale: përmes murit të barkut.

Kjo mund të kryhet nga vetë pacienti dhe bëhet duke e shpuar murin e barkut për të futur tretësira që qëndrojnë aty për një kohë të caktuar dhe pastaj hudhen pasi të jenë thithur.

Kjo lloj dialize e prish agjërimin poashtu, ngase tretësirat që përdoren përmbajë dekstrozë që është sheqer, e si i tillë konsiderohet ushqyese.

3. Gjërat që futen në trup jo përmes gojës

a) Ajo që futet në trup përmes kanalit të syrit (sikurse pikat e syrit): nuk e prish agjërimin sipas mendimit me të saktë.

Kështu, ngase kanali i syrit edhe pse ka depërtim në trup, është shumë i ngushtë e nuk lejon kalimin e një sasie të madhe. Rrjedhimisht, pika depërton duke u tretur dhe kjo bën që përdoruesi ta ndiejë shijen, mirëpo nuk ka diç që arrin në stomak.

b) Ajo që futet në trup përmes kanalit të veshit (sikurse pikat e veshit): poashtu, nuk e prish agjërimin.

c) Ajo që futet në trup përmes organeve gjenitale: nuk e prish agjërimin, sipas mendimit më të saktë.

Kjo, ngase ajo që futet përmes organit mashkullor përfundon në fshikzën urinare e nuk arrin në stomak.

Sëkëndejmi, urotroskopia e të ngjashme nuk e prishin agjërimin.

E njëjta thuhet edhe për organin gjenital femëror, madje edhe nëse përdoret ndonjë ilaç.

d) Ajo që futet në trup përmes vrimës së anusit (sikurse futja e gishtit nga ana e mjekut për të dalluar se a ka tumor në zorrën e trashë, apo futja e ndonjë aparati për vëzhgimin e zorrës): nuk e prish agjërimin.

Dr. Muhamed Broja