Pyetja: Edhe njëherë po shkruaj për një shoqe që është bashkuar me burrin për hir të Allahut dhe për të mirën e nipave, pas një ndarjeje. Mirëpo, burri nuk ka ndryshuar dhe ka mbetur i njëjtë, nuk është përmirësuar ndaj gruas. Gruaja fal pesë kohët e namazit, ndërsa burri jo. Çfarë duhet të bëjë kjo grua që ka vepruar për hir të Allahut, por tani përjeton vështirësi dhe dhunë në jetën e saj?

Përgjigja: Fillimisht, lutem që Allahu ta përmirësojë gjendjen e këtij çifti bashkëshortor, t’i udhëzojë dhe t’i drejtojë për të zgjedhur atë që është më e mira për ta në këtë botë dhe në botën tjetër!

Për sa i përket kësaj gruaje që është ndarë njëherë dhe është rikthyer te burri për hir të fëmijëve dhe për hir të Allahut, është e rëndësishme të theksohet se mosprishja e familjes dhe mbajtja e bashkëshortëve për të mos i lënë fëmijët jetimë është një vepër e madhe që vlerësohet tek Allahu. Allahu u ka bërë thirrje çiftëve muslimanë që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë në rastet e mosmarrëveshjeve dhe ngatërresave, vetëm që të shmangin shkurorëzimin. Shkurorëzimi është zgjidhja e fundit kur nuk ka mundësi tjetër dhe është dera e fundit që hapet vetëm kur janë të mbyllura të gjitha mundësitë e tjera.

Në këtë rast, nëse gruaja është kthyer te burri dhe ka vërejtur se gjendja është e njëjtë si më parë dhe nuk mund të vazhdojë më, qoftë për shkak të pamoralitetit të burrit, maltretimeve dhe torturave, apo për shkak se burri nuk e lejon atë të jetë fetare dhe e dëmton shpirtërisht dhe moralshëm, atëherë edhe pse ka bërë kthimin për hir të Allahut, kjo nuk e pengon të ndahen nëse është e nevojshme. Megjithatë, është e rëndësishme të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për të përmirësuar situatën, si p.sh. bëra e rukjes, seancat psikologjike, trajtimi me mirësi dhe butësi, dhe përpjekja për të folur me ndihmën e ndonjë hoxhe apo të prindërve të tij për të parë nëse mund të ndihmohet dhe të përmirësohet.

Kur gruaja është besimtare dhe burri jo, nuk është e drejtë të kërkohet ndarja vetëm pse burri nuk falet, përderisa ai nuk pengon fetarinë e saj dhe e trajton mirë. Një burrë që e respekton dhe e çmon fenë e gruas së tij, edhe pse ai vetë nuk falet, është vetëm çështje kohe që edhe ai të udhëzohet. Nëse është e kundërta, dhe burri është mysliman, ai duhet të jetojë me krenari dhe të mos lejojë që të përdhoset lehtësisht.


Hoxhë Dr. Rasim Haxha