Pytja: A lejohet falja në shtëpinë e një të krishteri?

Përgjigja: Është e lejuar të falemi në shtëpinë e një të krishteri apo të kujtdo që nuk ndjek fenë islame, bazuar në kuptimin e përgjithshëm të fjalëve të Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të):
”Tërë toka më është bërë mua dhe umetit vend adhurimi dhe e pastër. Prandaj, kudo që dikujt i vjen koha për t’u falur, le të falet dhe pastrohet aty…” (E transmeton Buhariu, 323).

As-Sindi (Allahu e mëshiroftë) tha: Ajo që mësojmë nga hadithi është se vetë toka, në tërësinë e saj, është vend për falje, përveç nëse ekziston ndonjë pengesë që e bën namazin të papëlqyeshëm ose të pavlefshëm; në atë rast, gjykimi lidhet me atë pengesë. (Përfundimi i citatit nga Hashiyat As-Sindi, koment mbi Sahih Al-Bukhari, 1/140).
Buhariu në Sahih-un e tij ka shkruar një kapitull me titullin “Kapitulli për faljen në kisha”, ku transmeton se Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha: Ne nuk hyjmë në kisha për shkak të statujave mbi të cilat ka imazhe. Dhe Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) falej në kisha, përveç në ato ku kishte statuja.

Al-Hafidh ibn Haxhar (Allahu e mëshiroftë) tha: Lidhur me thënien e tij “Kapitulli për faljen në kisha”, autori i Al-Muhkam tha: Gjykimi për kishat zbatohet edhe për sinagogat, qelitë e murgjve, tempujt ku ka idhuj, faltoret e zjarrit dhe të ngjashme. (Përfundimi i citatit nga Fath Al-Bari, 1/531). Shih gjithashtu Al-Insaf nga Al-Mirdawi, 1/496.

A është e vlefshme falja në kisha?
Nëse falja e namazit në kisha është e vlefshme, atëherë është edhe më e arsyeshme që ajo të jetë e vlefshme në shtëpinë e një të krishteri apo të një jo-muslimani tjetër.

Dijetarët e Komisionit të Përhershëm (6/270) u pyetën:
Ndonjëherë, koha e faljes më zë në shtëpinë e një të krishteri, kështu që marr sexhaden time dhe falem para tyre. A është i vlefshem namazi im në këtë rast, duke qenë se jam në një nga shtëpitë e tyre?

Ata u përgjigjën:
Po, namazi i juaj  është i vlefshëm; Allahu të shtoftë zellin për t’iu bindur Atij, veçanërisht duke falur pesë kohët e namazit në kohën e tyre. Është detyrë të përpiqesh që ato të falen në xhemat, duke frekuentuar xhamitë sa më shumë që të jetë e mundur. (Përfundimi i citatit).

Allahu e di më së miri.

 

Burimi: islamqa.info