Cili është kuptimi i kurbanit si gjuhë e besimit dhe dorëzimit ndaj Allahut?
Fjala “Kurban” vjen nga fjala “karube” që do të thotë “afrim”, sepse me këtë vepër ne i afrohemi Allahut. Pra, kurbani është gjuhë e adhurimit dhe e dorëzimit.
Nuk është thjesht therje e një kafshe, por është shprehje bindjeje ndaj Allahut, edhe kur urdhri nuk përputhet me mendjen tonë apo me ndjenjat tona.
Allahu thotë:
{لَن يَنَالَ ٱللَّهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَآؤُهَا وَلَـٰكِن يَنَالُهُ ٱلتَّقْوَىٰ مِنكُمْ ۚ كَذَٰلِكَ سَخَّرَهَا لَكُمْ لِتُكَبِّرُوا۟ ٱللَّهَ عَلَىٰ مَا هَدَىٰكُمْ ۗ وَبَشِّرِ ٱلْمُحْسِنِين}
“As mishi i tyre e as gjaku i tyre nuk arrin te Allahu, por tek Ai arrin devotshmëria juaj.”
[El-Haxh: 37]
Thotë Sa’adi, Allahu e mëshiroftë, në tefsirin e tij:
“Tek Allahu nuk mbërrin as mishi e as gjaku i tyre (i kurbaneve); është devotshmëria juaj që mbërrin tek Ai.
Qëllimi i kurbanit nuk është vetëm therja e bagëtisë e përfitimi nga mishi i saj.
Tek Allahu i Madhëruar nuk arrin as gjaku dhe as mishi i kurbanit, sepse Ai është i pasur, Jonevojtar për krijesat dhe i Vetëlavdëruar.
Tek Ai arrin veçse sinqeriteti juaj në adhurimet dhe kurbanet që ju i dedikoni.
Tek Ai arrijnë qëllimi i mirë, llogaritja e shpërblimit dhe devotshmëria juaj.
Ky është një inkurajim për të qenë të sinqertë në adhurimin e therjes dhe të përkushtimit të kurbanëve.
Allahu i Madhëruar na udhëzon që të jemi të motivuar veçse nga një qëllim: arritja e kënaqësisë së Tij.
Qëllimi i kurbanit të mos jetë fama dhe lavdërimi prej njerëzve dhe as të mos bëhet thjesht sepse është një zakon i trashëguar.
Kështu, sinqeriteti është i detyrueshëm në të gjitha llojet adhurimeve.
Nëse ato nuk kryen me sinqeritet dhe në emër të devotshmërisë për Allahun, të gjitha janë sipërfaqësore, që u mungon thelbi e frutat.
Ata i ngjajnë një trupi që nuk ka shpirt.”
Kjo tregon se qëllimi i Kurbanit nuk është therja për të therë, por është sinqeriteti, bindja dhe përkushtimi.
✍️Dr. Adelina Kuçana





