Allahu ka çuar të dërguar që nga fillimi, për t’i thirrur njerëzit te Zoti i tyre dhe për t’ua përcjellë atyre urdhrat dhe ndalesat e Tij. Thirrja e gjithë të dërguarve ishte: të adhurohet vetëm Allahu i Lartmadhëruar.

Sa herë që një popull fillonte të braktiste ose të shtrembëronte atë që solli i Dërguari i tyre, siç është urdhri për ta veçuar Allahun në adhurim (teuhid), atëherë Allahu ngarkonte një të dërguar tjetër për ta korrigjuar këtë rrugë dhe për t’i kthyer njerëzit në natyrshmërinë e shëndoshë e të pandryshuar njerëzore: për ta adhuruar Allahun dhe për t’iu bindur Atij, derisa Allahu i vulosi të dërguarit me Muhamedin(alejhi selatu ue selam), i cili erdhi me ligjin e përgjithshëm, të përhershëm për të gjithë njerëzit deri në Ditën e Kiametit, si plotësues dhe shfuqizues i ligjeve që ishin para tij.

Zoti i Lartmadhëruar garantoi që ky ligj dhe ky mesazh do të qëndrojë dhe do të vazhdojë deri në Ditën e Kiametit. Ky është shkaku pse ne muslimanët besojmë, siç ka urdhëruar Allahu, në të gjithë të dërguarit dhe librat e mëparshëm.

Allahu i Lartësuar thotë: “I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e edhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): ‘Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.’ Ata thonë: ‘Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë, dhe te Ti do të kthehemi!'”
(Kuran, 2:285)