Pyetja: Nëse unë kam burrin si imam në namaz, a më pranohet namazi nëse unë nuk them asnjë sure, po vetëm burri thotë suret? A duhet t’i them edhe unë?

Përgjigja:

–▣ Nëse namazet janë namaze në të cilat lexohet Kur’ani në dy rekatet e para me zë, si në namazin e sabahut, te akshamit dhe te jacisë, në këto dy rekate të para ti nuk ke nevojë të lexosh sure, por duhet të dëgjosh, sepse imami, ashtu siç ka thënë Profeti -alejhi selam-, është caktuar që duhet të ndiqet.
(Hadithin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi)

Dhe Allahu në Kur’an na thotë:
(وَإِذَا قُرِئَ الْقُرْآنُ فَاسْتَمِعُوا لَهُ وَأَنْصِتُوا لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ)
“Kur lexohet Kur’ani, ju dëgjoni atë (me vëmendje) dhe heshtni, në mënyrë që të fitoni mëshirë.” [Al-A’raf: 204]

–▣ Ndërsa në rekatin e tretë dhe të katërt të namazit të akshamit dhe jacisë, ti duhet të lexosh Fatihanë.

–▣ Ndërsa nëse i fal ato namazet, të cilat nuk lexohet Kur’ani me zë (drekën dhe ikindinë), me burrin tënd si imam, në këtë rast duhet patjetër ti ta lexosh suren Fatiha, sepse nuk ka namaz pa Fatihanë, siç ka ardhur në hadith. Ndërsa leximi i sureve të tjera, përveç Fatihase, është sunet.

–▣ Pra, nëse je duke falur namazin e sabahut me imam, nuk ke nevojë të lexosh, por vetëm të dëgjosh dhe të ndjekësh imamin.
Në namazin e akshamit dhe të jacisë, në dy rekatet e para nuk ke nevojë të lexosh, por dëgjon imamin, ndërsa në rekatin e tretë dhe të katërt duhet patjetër të lexosh suren Fatiha.
Në namazet e drekës dhe ikindisë, edhe pse je me imam, duhet të lexosh në 4 rekatet suren Fatiha, sepse tani imami nuk e lexon Kur’anin me zë. Leximi i sureve të tjera, përveç Fatiha-së, është sunet.

 

/Dr. Adelina Kucana/