Pyetja:
A më lejohet të marrë fëmijtë e mi të vegjël me vete në xhami. Si fëmijë që janë nganjëherë bëjnë edhe nga pak zhurmë gjë e cila nuk kalon pa vërejtje. Si të veproj, ju lutem një sqarim.
Përgjigje:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen dhe shokët e tij.
Në parim, sjellja e fëmijëve në xhami është e lejuar, dhe këtë e vërtetojnë disa transmetime profetike. Ndër to është fakti se Profeti ﷺ ka falur namaz duke mbajtur në krahë Umamen, mbesën e tij; dhe gjithashtu ka shkurtuar namazin kur dëgjonte të qante ndonjë fëmijë, për të mos e rënduar nënën e tij.
Dijetari el-Ajni ka thënë në shpjegimin e këtyre transmetimeve:
“Prej përfitimeve të këtij hadithi është se rrobat dhe trupat e fëmijëve janë të pastër derisa të vërtetohet e kundërta, dhe se hyrja e tyre në xhami është e lejuar.”
S’ka dyshim që në këtë ka përfitime të mëdha edukative, sepse fëmija mësohet me xhaminë dhe ndjen afërsi me adhurimin.
Shejh Ibn Uthejmin, Allahu e mëshiroftë ka thënë:
“Mendoj se lejohet që të sillen në xhami edhe fëmijët nën moshën shtatë vjeç, përderisa nuk shkaktojnë shqetësim, sepse kështu mësohen dhe gëzohen duke parë njerëzit që falen.”
Por, nëse prania e tyre shkakton bezdi për namazfalësit dhe prish qetësinë dhe koncentrimin (hushuunin ) e tyre, atëherë nuk lejohet t’i sillësh, për të ruajtur rehatinë dhe përqendrimin e xhematit.
Ibn Uthejmini shton: “Nëse fëmijët shkaktojnë zhurmë dhe shpërqendrim për të pranishmit, atëherë prindërit nuk duhet t’i sjellin, sepse Profeti ﷺ ka ndaluar edhe ata që kanë ngrënë hudhër ose qepë të afrohen në xhami për shkak të erës së keqe, duke thënë se ‘melekët dëmtohen nga ajo që dëmton njerëzit’. Pra, çdo gjë që shkakton shqetësim në xhami nuk duhet të sillet aty.”
Prandaj, nëse është e mundur të kombinohen të dy dobitë, duke mësuar fëmijët e vetëdijshëm sjelljen në xhami dhe duke mbajtur fëmijët e vegjël afër prindërve të tyre për të shmangur zhurmën, kjo është më e mira.
Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë prindërit sikurse ju në këtë rast duhet të këshillohen me butësi dhe urtësi, që ti përmbahen gjykimin fetar për këtë çështje.
Allahu e di më së miri.
/Hoxhë Dr. Afrim Bulliqi/




