URA E SIRATIT

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur me të, e pyeti Pejgamberin alejhis selam për kuptimin e ajetit:

“Ditën kur Toka do të zëvendësohet nga një Tokë tjetër, dhe qiejt gjithashtu.”
Ibrahim, 48.
Ajo tha: O i Dërguari i Allahut, ku do të jemi atëherë?
Pejgamberi alejhis selam, u përgjigj: Do të jemi në Sirat.
(Sahih Tirmidhi, Muslimi)

Kur toka dhe qiejt të ndryshojnë, do të ketë vetëm tre vende:
1. Xhehennemi,
2. Xhenneti,
3. Sirati – ura mbi Xhehennem.

Pejgamberi alejhis selam, thotë: “Të parët që do të kalojnë Siratin do të jemi unë dhe Umeti im.” Muslimi.

Çfarë është Sirati?

Në Ditën kur gjithçka ndryshon, nuk do të ketë rrugë të tretë përveç Xhennetit dhe Xhehennemit.
Për të arritur në Xhennet, duhet të kalohet një urë mbi Xhehennem – një urë e quajtur Sirat.
Ajo urë shtrihet përgjatë gjithë Xhehenemit, dhe në fund të saj ju pret porta e Xhennetit dhe Pejgamberi alejhis selam i cili qëndron dhe i mirëpret ata që kalojnë me sukses.

Tiparet e Siratit:

1. Është më e hollë se një fije floku.
2. Më e mprehtë se një shpatë.
3. E rrethuar nga errësira e plotë, dhe poshtë saj flakët e zeza të Xhehenemit që ziejnë nga tërbimi.
4. Mbi shpinën tuaj atëherë do të jenë të gjitha veprat tuaja – nëse mëkatet janë të rënda, kalimi do të jetë i ngadaltë dhe i dhimbshëm, e nëse veprat janë të mira dhe të pastra, do të kaloni shpejt, si rrufeja.
5. Në urë ka grepa dhe thumba që varen dhe shqyejnë trupat për të shlyer mëkatet, si një fjalë, shikim ose vepër e ndaluar.
6. Nga fundi i Xhehenemit do të dëgjohen britmat e tmerrshme të atyre që u penguan dhe ranë në thellësitë e tij.

Në ato momente, Pejgamberi alejhis selam qëndron në fund të Siratit, te porta e Xhenetit, dhe shikon teksa e vejmë këmbën në urë. Do të lutet për ne:

“Allah, shpëtoji! Allah, shpëtoji!”

Është i dashuri ynë Muhamedi alejhis selam.

Njeriu do të shohë të tjerët si bien poshtë, e disa të tjerë si e kalojnë me sukses. Ata mund ta njohin babanë ose nënën e tyre, por nuk do të shikojnë prapa, atëherë të gjithë do mendojnë vetëm për veten e tyre.

Pra, durim vëllezër dhe motra, se sprovat e kësaj bote janë kalimtare dhe mashtruese.
Le të luftojmë me veten tonë, le të adhurojmë Allahun si duhet, ta falim namazin, të mbulohen motrat tona, t’i largohemi harameve dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin që të takohemi në Xhennet.

O Zoti ynë, na bëj midis atyre që e kalojnë Siratin të shpëtuar dhe na dhuro një fund të bukur e na bëj banorë të Xhennetit!

 

/Hoxhë Irfan Salihu/