Pyetje: Nëna ime është e sëmurë nga sihri prej moti, dhe më herët ajo ka agjëruar, por tani është lodhur, sepse kjo sprovë zgjati shumë. Ka ditë që ka agjëruar vitin e kaluar, por shumë ditë e ka prishur pa dëshirën e saj. Çka na këshilloni?

Përgjigje: Nëna jote Allahu e shëroftë e ka për detyrë të përpiqet për të kryer detyrimet që i janë urdhëruar dhe për të lënë gjërat e ndaluara. Ajo duhet të kërkojë ndihmën e Allahut të Madhëruar, t’i drejtohet sa më shumë Atij dhe ta lusë që t’ia largojë sprovën që e ka goditur. Le të mundohet edhe përmes rukjeve dhe lutjeve të transmetuara nga Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), sepse në to ka dobi të madhe me lejen e Allahut. Nuk i lejohet asaj t’u bindet xhinëve nëse e urdhërojnë të prishë agjërimin në Ramazan.
Dijetarët e Komisionit të Përhershëm kanë thënë: ‘’Prekja e njeriut nga xhinët është një gjë reale. Nëse xhini që e ka sulmuar e urdhëron për ndonjë gjë të ndaluar, atëherë i sëmuri duhet t’i përmbahet ligjit të Allahut dhe të mos i bindet xhinit në mëkat, edhe nëse ai e dëmton. Duhet të kërkojë mbrojtje tek Allahu nga e keqja e tij dhe ta forcojë veten me leximin e Kur’anit, me rukje dhe me dhikër, ndër to është: rukja me leximin e sures El-Fatiha. Gjithashtu leximi i sures “Kul huvallahu ehad” dhe dy sureve mbrojtëse (El-Felek dhe En-Nas), pastaj të fryjë lehtë në duart e saj dhe të fërkojë me to fytyrën dhe sa të mundet nga trupi, pastaj t’i lexojë sërish dhe të fryjë në duar e të fërkojë fytyrën dhe trupin sa të mundet. Ka edhe forma të tjera të rukjes me sure dhe ajete të Kur’anit dhe me dhikre të sakta, duke iu drejtuar Allahut për shërim dhe mbrojtje nga shejtanët e xhinëve dhe të njerëzve.’’
Nëse supozohet se ajo ka bërë çfarë ka mundur, por prapëseprapë nuk ka mundur të agjërojë, atëherë shpresojmë që nuk ka mëkat për prishjen e agjërimit. Ajo duhet t’i kompensojë ato ditë kur të ketë mundësi, sepse duket se ajo është në pozitën e të sëmurit nga i cili pritet shërim. Allahu i Lartësuar ka thënë: “E kush është i sëmurë ose në udhëtim, le t’i agjërojë ato ditë më vonë.” (El-Bekare: 185). Nuk ka obligim shpagimi për vonesën, përderisa ajo nuk e ka vonuar me dëshirë kompensimin.

Përktheu: Enis Arifi / rizgjimi.com