Këto janë tableta që vendosen nën gjuhë për trajtimin e disa krizave të zemrës. Ato përthithen drejtpërdrejt pas një kohe shumë të shkurtër nga vendosja e tyre, dhe gjaku i çon drejt zemrës, duke ndaluar krizat e saj të papritura. Asgjë nga këto tableta nuk hyn në brendësinë e trupit (në stomak).
Gjykimi për tabletat që vendosen nën gjuhë
Përdorimi i këtyre tabletave nuk e prish agjërimin, me kusht që personi të mos gëlltisë asgjë nga ajo që tretet prej tyre. Këtë e ka vendosur me konsensus Akademia e Fikhut Islam.
➖Kjo për arsyet në vijim:
Së pari: Sepse ato nuk konsiderohen as ushqim, as pije dhe as në kuptimin e tyre.
Së dyti: Sepse prej tyre nuk hyn asgjë në zgavrën e brendshme të trupit (stomak). Përkundrazi, enët e gjakut që ndodhen nën gjuhë thithin substancën mjekësore. Dijetarët janë pajtuar se agjërimi nuk prishet nga ajo që depërton përmes poreve të trupit, dhe nuk ka dallim nëse këto pore janë jashtë gojës apo brenda saj.
Së treti: Parimi bazë është vlefshmëria e agjërimit, dhe nuk gjykohet prishja e tij përveçse me siguri të plotë.
/Dr. Adelina Kuçana/



