Pyetje: “E kam divorcuar gruan time një herë, ajo nuk është larguar nga shtëpia dhe kemi vazhduar të jetojmë bashkë pa u kthyer te ndonjë njeri i fesë (dijetar) apo gjykatë dhe pa pasur dëshmitarë për rikthimin tonë. A është e saktë ajo që kemi bërë?”
Përgjigje: Po, nëse burri e kthen gruan e tij me marrëdhënie ose duke i thënë: “Të kam kthyer” apo “të kam mbajtur”, atëherë rikthimi është i vlefshëm.
Mirëpo, më e mira është që të dëshmojnë dy dëshmitarë, kjo është më e mira, por edhe nëse nuk e dëshmon (me dëshmitarë), rikthimi është i vlefshëm sipas mendimit më të saktë.
Nëse ai kryen marrëdhënie me qëllim rikthimi ose i thotë: “Të kam kthyer”, arrihet synimi (i rikthimit) nëpërmjet saj nëse divorci ka qenë vetëm një ose dy herë. Ndërsa, nëse e divorcon edhe herën e fundit (herën e tretë), atëherë ajo nuk i lejohet më atij, derisa ajo të martohet me një burrë tjetër. Për shkak të Fjalës së Tij – të Patëmeta e i Lartësuar –:
الطَّلَاقُ مَرَّتَانِ فَإمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ
“Divorci është dy herë; pastaj (pas tyre) ose mbajtje me të mirë ose ndarje me mirësi.” [El-Bekareh: 229]
Deri te Fjala e Tij i Patëmeta:
فَإِنْ طَلَّقَهَا
“E nëse e divorcon atë.”
D.m.th herën e tretë.
فَلَا تَحِلُّ لَهُ مِنْ بَعْدُ حَتَّى تَنكِحَ زَوْجًا غَيْرَهُ
“Atëherë, atij nuk i lejohet më pas saj, derisa të martohet me një burrë tjetër.” [El-Bekare: 230]
Po ashtu, Fjala e Tij të Patëmeta:
وَبُعُولَتُهُنَّ أَحَقُّ بِرَدِّهِنَّ فِي ذَلِكَ إِنْ أَرَادُوا إِصْلَاحًا
“Dhe burrat e tyre kanë më shumë të drejtë për kthimin e tyre në kohën e pritjes (iddetit), nëse duan përmirësim.” [El-Bekare: 228]
Do të thotë: ata kanë më shumë të drejtë për t’i kthyer ato në këtë kohë të iddetit. Ndaj, për sa kohë që femra është në kohën e pritjes (iddet), burrat e tyre të cilët janë bashkëshortët kanë më shumë të drejtë për kthimin e tyre, domethënë për rikthimin, duke i thënë: “Të kam kthyer”, ose “të kam mbajtur”, ose “të kam kthyer prapë”, apo të ngjashme me to nga fjalët, ose duke kryer marrëdhënie me të me qëllim rikthimi. Të gjitha këto janë të mjaftueshme.
Por më e mira është që ai të dëshmojë për rikthimin e saj dy dëshmitarë, për shkak të Fjalës së Tij të Patëmeta:
وَأَشْهِدُوا ذَوَي عَدْلٍ مِنْكُمْ وَأَقِيمُوا الشَّهَادَةَ لِلَّهِ
“Dhe merrni dy dëshmitarë të drejtë nga mesi juaj dhe zbatojeni dëshminë për Allahun.” [Et-Talak: 2]
Sepse ajeti është shpjeguar për divorcin dhe është shpjeguar për rikthimin, si dhe është shpjeguar për të dyja. Pra, nëse ai e dëshmon (rikthimin), kjo është më parësore dhe më e mirë. Po.
Shejkh Abdul-Aziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)
🖥Burimi: https://binbaz.org.sa/fatwas/5906/حكم-إرجاع-الزوجة-المطلقة-بدون-شاهدين
Përktheu: Altin Dallashi




