Pyetje:
A mundet një person të kryejë dy umre radhazi ose më shumë, duke qenë në të njëjtin ihram, pa dalë prej tij derisa t’i përfundojë të gjitha? Ju lutem na këshilloni.
Përgjigje:
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut…
Çdo umre kërkon ihramin e saj të veçantë, ashtu siç çdo namaz kërkon tekbirin e tij fillestar (Tekbiratul-Ihram). Nuk lejohet që një musliman të falë më shumë se një namaz me një tekbir të vetëm hyrës. Po ashtu, ai nuk mund të kryejë më shumë se një umre me të njëjtin ihram. Nuk dimë për asnjë dijetar që e ka lejuar këtë.
Që umreja të jetë e plotë, personi duhet të dalë nga ihrami duke rruar kokën ose duke shkurtuar flokët. Vetëm pasi ta bëjë këtë, ai e ka përfunduar umren dhe nuk është më në gjendjen e ihramit. Pas kësaj, ai mund të kryejë një umre tjetër me të njëjtat rroba, por me një nijet të ri për ihram.
Megjithatë, nëse ai as nuk i rruan dhe as nuk i shkurton flokët, atëherë umreja e parë nuk konsiderohet e përfunduar. Prandaj, edhe nëse ai bën nijet për një umre tjetër, kjo nuk është e vlefshme dhe tavafi i tij konsiderohet vetëm një adhurim vullnetar, jo pjesë e umres. Po ashtu, sa’ji i tij nuk konsiderohet prej riteve të umres, sepse sa’ji është shtyllë e umres, dhe nuk është e mundur që një person të kryejë dy shtylla të njëjta për dy adhurime të ndryshme me një ihram të vetëm.
Çdo adhurim ka rregullat e veta. Megjithatë, nëse ai del nga ihrami i umres së parë, atëherë mund të dalë jashtë Haremit dhe të hyjë përsëri në ihram për një umre tjetër.
Allahu e di më së miri.
Burimi islamweb.net / Solli në gjuhën shqipe: pergjigje.net




