Pyetje: A prishet abdesi nëse pastroj urinën e një fëmije dhe laj pelenën e tij?

Përgjigje:

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, ndërsa paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut ﷺ.

Abdesi nuk prishet duke pastruar urinën e një fëmije apo duke larë pelenën e tij, sepse prekja e papastërtisë nuk e prish abdesin. Megjithatë, është e domosdoshme të pastrohet papastërtia nëse njeriu dëshiron të falet.

Në Fetvatë e Komisionit të Përhershëm thuhet:

“Abdesi nuk prishet duke larë papastërtinë nga trupi i personit që është me abdes apo nga ndonjë vend tjetër.”

(Mexhelletul Buhuth el-Islamijjeh, 22/62)

Në Fetvatë e Shejh Ibn Bazit thuhet:

“Prekja e pajisjeve mjekësore apo e dyshemesë së banjos me këmbë zbathur nuk e prish abdesin. Por nëse në dysheme ka papastërti dhe një burrë apo grua shkel mbi të, kjo nuk e prish abdesin. Megjithatë, duhet të lajë këmbët nëse papastërtia ishte e lagur ose nëse këmba ishte e lagur.

Prekja e rrobave të fëmijës që janë të lagura me urinë nuk e prish abdesin, por personi që i prek duhet të lajë dorën nëse ato janë të lagura. Po ashtu, nëse rrobat janë të thata por dora është e lagur, atëherë duhet ta lajë dorën.”

Shejh Ibn Bazi rahimehullah ka thënë gjithashtu:

“Sa i përket prekjes së gjakut, urinës dhe papastërtive të tjera, kjo nuk e prish abdesin, por njeriu duhet të lajë atë që i bie mbi trup.”

Shejh Ibn Uthejmini rahimehullah u pyet për një grua që lan fëmijën e saj ndërkohë që është me abdes. A duhet të marrë abdes përsëri?

Ai u përgjigj:

“Nëse një grua lan fëmijën e saj, djalë apo vajzë, dhe prek pjesën intime të fëmijës, ajo nuk ka nevojë të marrë abdes përsëri. Mjafton vetëm të lajë dorën, sepse prekja e pjesës intime pa dëshirë nuk e prish abdesin. Dihet se kur një grua lan fëmijën e saj, nuk ka dëshirë në atë veprim. Prandaj, ajo vetëm lan duart për të larguar papastërtinë dhe nuk ka nevojë të marrë abdes.”

(Mexhmu Fetava Ibn Uthejmin, 11/203)

Allahu e di më së miri.