Pyetje: Pyetësi thotë se ka kryer marrëdhënie intime me gruan e tij gjatë menstruacioneve. Edhe ajo ka qenë dakord, ashtu siç ka qenë dakord edhe ai. A kanë gjynah për këtë veprim? Çfarë i obligohet atij dhe çfarë i obligohet asaj?
Përgjigje: Ata që të dy duhet të pendohen tek Allahu, sepse Ai e ka bërë të ndaluar këtë veprim.
Allahu i Madhëruar e i Lartësuar thotë:
“Të pyesin ty (o Muhammed) për menstruacionet. Thuaj: Ato janë gjendje e dëmshme (për marrëdhënie intime), andaj largojuni grave gjatë menstruacioneve..”
Fjala “largojuni” është urdhër nga Allahu që të largohemi nga marrëdhëniet intime gjatë menstruacioneve, pra nga kontakti intim në vaginë. Prandaj, nuk lejohet kryerja e marrëdhënieve intime në vaginë gjatë kësaj periudhe. Ndërsa kënaqësia bashkëshortore në pjesë të tjera të trupit nuk ka problem.
Marrëdhënia intime në vaginë gjatë menstruacioneve është haram, sepse Allahu e ka ndaluar atë duke thënë:
“Largojuni marrëdhënieve intime me gratë gjatë menstruacioneve dhe mos iu afroni atyre derisa të pastrohen. E kur të pastrohen, atëherë afrojuni atyre ashtu siç ju ka urdhëruar Allahu.”
Kjo tregon se marrëdhënia intime me gruan gjatë menstruacioneve është haram.
Nëse të dy bashkëshortët e kryejnë këtë veprim qëllimisht, atëherë që të dy janë mëkatarë. Gjithashtu, që të dy obligohen të japin kompensimin, i cili është 4.25 gram ar apo vlerën e tij në para. Por lejohet që të jepet edhe gjysma e kësaj (2.13 gram ar), është me zgjedhje. Nëse dëshiron nxjerrë 4.25 gram ar apo vlerën e tij në para, ose nëse dëshiron nxjerrë gjysmën e kësaj.
____
Shënim i përkthyesit: Ky kompensim i jepet si sadaka një muslimani në nevojë.
Myftiu i Arabisë Saudite Salih el Feuzan Përktheu: Servet Mata
▶️ Videoja në Youtube: https://youtu.be/nmBtIXGChaI?si=Z3_YqBEEtwxJgDJN




