Pyetje:
A lejohet të mjaftohemi vetëm me Kuranin dhe ta lëmë Sunnetin e Profetit – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij?
Përgjigje:
Nuk lejohet.
Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që të marrim edhe Sunnetin, në Fjalën e Tij:
“Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj…”
(Surja El-Hashr, ajeti 7)
Sunneti ka zbritur për të shpjeguar Kuranin. Nuk mund të njihen detajet e fesë, si p.sh. mënyra e faljes së namazit, haxhit, zekatit e të tjera, veçse përmes Sunnetit.
Ka thënë Profeti – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij:
“Vini re! Mua më është dhënë Libri (Kurani) dhe një i ngjashëm me të (Sunneti). Vini re! Do të vijë koha kur ndonjë person i ngopur, i ulur në kolltukun e tij, do të thotë: ‘Detyrë për ju është vetëm ky Kuran; atë që e gjeni në të hallall, lejojeni, dhe atë që e gjeni në të haram, ndalojeni’.”
Transmeton Imam Ahmedi dhe Ebu Davudi, dhe e ka saktësuar Imam Albani – Allahu e mëshiroftë!
Prandaj, kush e mohon Sunnetin, e ka mohuar në të vërtetë edhe Kuranin.
/Hoxhë Brulind Callari/




