Pyetja:
Cilat janë shenjat e pranimit të duasë që janë transmetuar nga Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) në hadithe autentike? Mes njerëzve është e përhapur bindja se shenjat e pranimit të duasë përfshijnë:
Përulësinë, të qarët, dridhjen, rrëqethjen, humbjen e vetëdijes ose mosvënien re të asaj që ndodh përreth, e më pas qetësinë, rehati në zemër, siguri shpirtërore, energji të brendshme dhe një ndjenjë lehtësie fizike, deri në atë pikë sa personi që ka bërë dua ndjen sikur një barrë e rëndë i është hequr nga supet. Pas kësaj, ai i kushton kohën e tij adhurimit, sadakasë, lavdërimit të Allahut dhe duasë.
Por, sipas asaj që kuptoj, këto janë përvoja personale dhe ndikime emocionale, dhe nuk ka argument që ato të jenë transmetuar në ndonjë tekst nga Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).
Pyetja ime është:
Cilat janë shenjat e pranimit të duasë që janë transmetuar në mënyrë autentike drejtpërdrejt nga Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të)? Çfarë tregohet qartë nga tekstet fetare, larg përvojave personale dhe mendimeve?
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut, dhe paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.
I
Këto shenja që përmenden në pyetje janë përmendur nga Shejh i lexuesve të Kuranit, Ibn el-Xhezeri (Allahu e mëshiroftë), i cili ka thënë:
“Shenjat e pranimit të duasë janë: ndjenja e frikës ndaj Allahut, të qarët dhe dridhja. Mund të ketë gjithashtu rrëqethje, humbje të vetëdijes dhe mosvënie re të asaj që ndodh përreth, e më pas menjëherë vijnë qetësia, energjia e brendshme dhe një ndjenjë lehtësie fizike, deri në atë masë sa personi që ka bërë dua ndjen sikur një barrë e rëndë i është hequr nga supet. Në atë moment ai nuk do të ndalet së kthyeri tek Allahu, duke iu kushtuar adhurimit të Tij, dhënies së sadakasë, përkujtimit të vazhdueshëm të mirësive të Tij, lavdërimit dhe lutjes ndaj Tij, duke thënë: ‘Falënderimi i takon Allahut, me mirësinë e të Cilit plotësohen të gjitha të mirat.’”
Fund citati nga ‘Iddetul-Hisnil-Hasin të Ibn el-Xhezerit, fq. 43.
Këto shenja që përmendi Imam Ibn el-Xhezeri (Allahu e mëshiroftë) nuk janë përmendur në ndonjë tekst fetar, aq sa dimë ne. Ato janë përvoja personale dhe nuk mund të vërtetohen përveçse pasi duaja të jetë pranuar. Sa njerëz kanë qarë, kanë pasur frikë ndaj Allahut, janë përulur në dua dhe janë dridhur, por nuk e kanë arritur atë që kërkonin.
Jo çdo lutje që bënë profetët u pranua në mënyrën që ata dëshironin, megjithëse ata ishin njerëzit më të devotshëm.
Megjithatë, disa prej gjërave të përmendura mund të jenë shkaqe që ndihmojnë në pranimin e duasë.
Esh-Sheukani (Allahu e mëshiroftë), duke komentuar fjalët e Ibn el-Xhezerit, tha:
“Këto shenja që përmendi autori janë çështje të përvojës personale dhe nuk ka nevojë të kërkohet argument për to në tekstet fetare. Çdo njeri që bën dua dhe Allahu ia pranon atë, në mënyrë të pashmangshme do të përjetojë disa prej këtyre gjërave. Allahu është Zotëruesi i mirësive të mëdha.”
Fund citati nga Tuhfetudh-Dhakirin bi ‘Iddetil-Hisnil-Hasin, fq. 94.
Nëse meditojmë mbi tekstet fetare, nuk duket se ekzistojnë shenja të qarta të përmendura në Kuran dhe Sunet që tregojnë pranimin e duasë, përveç rastit kur personi e arrin atë që ka kërkuar dhe e sheh rezultatin e duasë së tij. Kjo është e qartë dhe nuk ka nevojë për sqarime të mëtejshme.
II
Disa prej dijetarëve që kanë folur për këtë çështje kanë thënë se vetë fakti që njeriut i jepet mundësia të bëjë dua është shenjë se ai do të marrë përgjigje dhe se lutja e tij do të pranohet.
Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Disa dijetarë kanë thënë: Vetë duaja është shenjë dhe provë se njeriu do ta arrijë atë që kërkon. Ata thanë se lidhja mes duasë dhe asaj që kërkohet është si lidhja mes argumentit dhe asaj që ai vërteton, e jo si lidhja mes shkakut dhe pasojës; përkundrazi, është si një deklaratë e vërtetë dhe një dije paraprake.”
Fund citati nga Iktida’ es-Siratil-Mustekim, 2/228.
Pastaj ai (Allahu e mëshiroftë) vazhdoi:
“Mendimi i saktë është ai i shumicës së dijetarëve, sipas të cilit vetë duaja është një mjet për të arritur të mirën që kërkohet ose ndonjë të mirë tjetër, ashtu si të gjitha mjetet dhe shkaqet që Allahu i ka caktuar dhe i ka ligjësuar.
Pavarësisht nëse quhet shkak, shkak i pjesshëm apo kusht, kuptimi është i njëjtë. Nëse Allahu dëshiron të mirën për një person, Ai e frymëzon atë të bëjë dua dhe të kërkojë ndihmën e Tij, dhe e bën atë dua shkak për të mirën që ka caktuar për të.
Siç ka thënë Omeri ibn el-Hattab (Allahu qoftë i kënaqur me të): ‘Unë nuk shqetësohem për pranimin e duasë sime; shqetësimi im është që të më jepet mundësia të bëj dua. Sepse kur më frymëzohet duaja, përgjigjja vjen bashkë me të.’”
Fund citati nga Iktida’ es-Siratil-Mustekim, 2/228.
Ibn el-Kajjimi e ka përmendur këtë transmetim në Medarixh es-Salikin (3/103) dhe El-Xheuab el-Kafi (1/29).
Ne nuk kemi gjetur zinxhirin e transmetimit (isnadin) të këtij transmetimi, dhe komentuesi i El-Iktida’ ka thënë: “Nuk e gjeta isnadin e tij.”
Allahu e di më së miri.
Burimi: islamqa.islamqa.info / Solli në gjuhën shqipe pergjigje.net




