A e dini çfarë është përgojimi?

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “A e dini çfarë është përgojimi?” Ata thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Profeti ﷺ tha: “Të përmendësh për vëllanë tënd atë që ai e urren.” Dikush pyeti: “Çfarë mendon nëse vëllai im e ka atë që e them?” Profeti ﷺ tha: “Nëse e ka atë që e thua, pikërisht kjo është përgojim, e, nëse nuk e ka, atëherë i ke bërë shpifje atij.” (Shënon Muslimit, 2589)

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:

Profeti ﷺ në këtë hadith sqaron realitetin e përgojimit, që është: përmendja për muslimanin që nuk është i pranishëm diçka që atij nuk i pëlqen, qoftë kjo një nga cilësitë e tij fizike, qoftë morale. Për shembull, i verbri, mashtruesi, gënjeshtari, e cilësi të ngjashme përçmuese, edhe nëse këto cilësi janë të pranishme tek ai.
Por, nëse ai nuk i ka ato cilësi që u përmendën, atëherë kjo është më e rëndë se përgojimi, sepse është shpifje ndaj njeriut me diçka që nuk e ka.

Mësime nga hadithi:

1. Metoda e mësimit efikas nga ana e Profetit ﷺ, sepse i trajton çështjet në formë pyetjeje.
2. Edukata e mirë e sahabëve me Profetin ﷺ, meqë thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.”
3. I pyeturi kur nuk di diçka, thotë: “Allahu e di më së miri.”
4. Feja e ruan shoqërinë duke ruajtur të drejtat dhe vëllazërinë (islame) mes tyre.
5. Përgojimi është i ndaluar, përveç në disa raste, për ndonjë dobi, bie fjala, zmbrapsja e padrejtësisë, saqë i shtypuri e përmend atë që i ka bërë padrejtësi tek ai që mund ta marrë të drejtën e tij dhe thotë: “Filani më ka bërë padrejtësi, ose më ka bërë kështu e ashtu.” Po ashtu konsultimi për çështjet e martesës, partneritetit ose fqinjësisë e kështu me radhë.

Përktheu: Hoxhë Burim Koçinaj

https://t.me/hoxheburimkocinaj