Përgjigjja: Njeriu është i lirë në veprat e tij, por edhe po të thoshim i imponuar në njëfarë mënyre, nuk prish punë. Apo thënë ndryshe: ka veprime ku njeriu është plotësisht i lirë, si dhe ka veprime ku njeriu është i detyruar, i imponuar.

Në kuptimin e parë, njeriu është i lirë në veprimet e veta; njeriu është ai i cili zgjedh të bardhën nga e zeza, të mirën nga e keqja, apo të kundërtën: zgjedh të zezën e braktis të bardhën. Sikurse ai që zgjedh një fe tjetër dhe ia kthen shpinën Islamit, ose zgjedh kufrin (mosbesimin) e hedh Islamin. Ose ai tjetri atje, i cili e zgjedh dhe e bën vizion të tijin t’u shpëtojë e t’u ndihmojë njerëzve. Ndërsa ky tjetri zgjedh t’u bëjë zullum njerëzve dhe, po të mundet, edhe t’i mbytë të gjithë. Këtë e bën me dëshirë e me vetëdije të plotë; ashtu siç edhe ai tjetri e bën me vetëdije të plotë e me dëshirë.

Zoti as nuk e imponoi këtë për të bërë hajrin (të mirën), as nuk e imponoi atë për të bërë sharrin (të keqen). Andaj, të dy, në bazë të veprimeve të tyre, marrin edhe ndëshkimin apo shpërblimin. Sepse po të mos ishte njeriu i lirë, atëherë nuk do të kishte efekt shpërblimi dhe ndëshkimi. Për këtë arsye, i Madhi Zot, Ai është i Drejtë, Tebarake ve Teala (i Lartësuar qoftë). Në Ditën e Gjykimit, kur t’i marrë në llogari robërit e Tij, do të thotë: — “A ju bëra diçka zullum unë juve?” — “Jo.” — “A e zgjodhe vetë kufrin dhe shirkun?” — “Po.”

Për shembull, në Surën Al-Mulk, thotë Allahu: kur të futen banorët e Xhehenemit në të, engjëjt e Xhehenemit i pyesin: — “E pse keni ardhur në Xhehenem? Pse e bëtë punën për Xhehenem? A nuk ju erdhi juve ndonjë pejgamber që t’ju tërhiqte vërejtjen se keni Xhehenemin përpara dhe të ruheshit nga rrugët që çojnë në të? A nuk ju erdhi?” — “Kalu bela” (Thonë: “Po, si jo, na erdhi, por s’deshëm të dëgjonim për të, i përgënjeshtruam.”) Po, po, i përgënjeshtruam.

Atëherë Allahu thotë: “Fe’aterfu bi dhenbihim” (dhe e pranuan fajin e vet). Dhe thonë: “Nëse do të kishim pasur mend, do t’i kishim dëgjuar pejgamberët dhe sot nuk do të ishim në Xhehenem. Por nuk patëm mend, na mashtroi dynjaja.” Kështu që njerëzit e pranojnë në Ditën e Gjykimit se askush nuk i ka shtyrë me zor.

Në anën tjetër, pa thënë Zoti, asgjë nuk bëhet, Tebarake ve Teala. Çdo gjë është me dijen e Zotit, me lejen e Zotit. Ama njeriu zgjedh. Dhe kjo zgjedhje e njeriut është brenda vullnetit të Zotit, nuk del jashtë vullnetit të Tij. Por ne si robër, kur zgjedhim hajrin, ia atribuojmë Allahut; thoshim: “Zoti deshi, e zgjodha këtë, e bëra këtë.” Kur veprojmë të keqen, nuk ia atribuojmë Zotit, por ia atribuojmë vetes sonë. Kjo është edukata me Allahun.

Për këtë arsye është edhe në hadithin e Pejgamberit (sallallahu alejhi ve sellem), pjesa e hadithit: “Hajri është prej Teje, o Zot, ndërsa sherri nuk Të atribuohet Ty.” Sherrin ia lëmë vetvetes, se ne e kërkuam. Neve nuk na takon të thoshim: “E deshi Zoti dhe bëra turp, bëra haram.” Jo, Zoti nuk e deshi. Po, pa e dashur Zoti asgjë nuk bëhet, por thuaj: “Më lejoj Zoti të bëj një haram”, ma dha lejen, por kjo nuk do të thotë që Zoti është i kënaqur. Ndërsa për punët e hajrit, Zoti më dha lejen dhe më ndihmoi ta bëjë punën e hajrit, andaj hajrin ia atribuojmë Zotit. “Vel hairu ilejk” (hajri është i Yti apo prej Teje, o Zoti im).

E rëndësishme është se robërit janë të lirë. Për shembull tani, kush më imponoi mua të vij këtu? Askush. Unë jam i lirë dhe lirshëm po flas, por me përgjegjësi dhe me vetëdije të plotë. Sepse për këtë që po flas, engjëjt shënojnë, Zoti dëgjon. Dhe unë kam me dhënë llogari për këto fjalë që po flas: a po i flas nga egoja (unë jam), nga mendjemadhësia, apo sipas qejfit tim, apo po i flasim sipas fjalëve të Zotit e të Pejgamberit (sallallahu alejhi ve sellem)

Këto të gjitha Zoti i di.

Hoxhë Dr. Shefqet Krasniqi