Pyetja: A është e vërtetë që në qoftë se në tavolinën e bukës, prej pakujdesisë, shpeshherë ndodh që mbesin thërrmija (trosha) në të, kjo vepër e pakëson bereqetin apo diçka të ngjashme? Kështu na kanë thënë baballarët dhe nënat tona
Përgjigjja: Mirëpo, ajo që ka ardhur në hadith, në fakt, dhe që shpjegohet prej dijetarëve, është se ushqimi nuk duhet të hidhet dhe nuk duhet të lihet pas dore. Domethënë, kur e lëmë ushqimin, dihet se ai do të hidhet, sepse nuk e ha askush. Ushqimi është nimet, është begati e madhe e Allahut të Lartësuar për njeriun.
Ekzistojnë shkallë të mira të jetesës, por ushqimi duhet të shpenzohet me masë dhe të konsumohet me maturi. Në shtëpi dhe në kuzhina tona, duhet të përgatisim aq ushqim sa nuk hidhet dhe nuk shpërdorohet, që të mos shkojë dëm. Po kështu edhe në restorante, kur porosisim, duhet të porosisim aq sa mundemi të hamë.
Çfarë duhet të bëjmë nëse na mbetet ushqim?
Nëse na mbetet ushqim që nuk e ha askush, çfarë duhet të bëjmë?
- Së pari, nëse mundemi t’ia japim dikujt që e merr dhe e han, t’ia japim atij.
- Nëse nuk kemi kujt t’ia japim ose nuk e merr askush, atëherë e vendosim në një vend të përshtatshëm ose ua hedhim kafshëve (për shembull, nëse mbajmë shpendë apo kafshë shtëpiake për shkak të nevojës).
Ku fshihet bereqeti?
Ajo që e përmendin dijetarët është se ne nuk e dimë se në cilën kafshatë ndodhet bereqeti. Ndonjëherë, edhe kafshata e fundit që na ka mbetur e që nuk e kemi ngrënë, pikërisht aty fshihet bereqeti dhe ne e gjejmë atë përmes saj.
Prandaj, shumë njerëz sot hanë pa e çmuar dhe pa ia ditur vlerën bereqetit, nuk e shijojnë ushqimin dhe nuk i marrin dobitë e tij. Madje, ndodh që ushqimi t’u bëjë edhe dëm; punojnë natë e ditë vetëm për të ngrënë e për të pirë, por nuk gëzojnë qetësi dhe gjallëri. Kjo tregon se diku aty po rrjedh dhe po humbet “thesi i bereqetit”. Dhe është plotësisht e mundur që ky bereqet të humbasë pikërisht te këto kafshata që i lëmë dhe i hedhim.
Mos harrojmë se Pejgamberi ﷺ e ka ngrënë ushqimin që i është sjellë përpara deri në fund dhe e ka fshirë enën. Kur porosisim ushqim në restorant për tre veta dhe themi: „Vallahi, s’po mundem me ngrënë“, e vërteta është se nuk mundesh ta hash sepse ke porositur tepër.
Ky është shpjegimi, Allahu e di më së miri për këtë çështje.
Hoxhë Dr. Rasim Haxha
Dëgjoje videon👇




