Pyetja:

A bën pjesë pjesa e krahut prej bërrylit e deri tek supet në auretin mes grave si dhe ndaj personave që i kemi mahrem?

***

Përgjigja:

Gruaja është auret për burrat e huaj, nuk i lejohet asaj që të shfaq diçka para tyre edhe po të jetë e veshur kur ka fitne. Kurse ajo që njihet për auretin e grave në mesin e grave, prej kërthize deri në gjunjë, ka të bëj vetëm brenda në shtëpi, në mesin e motrave dhe grave të tjera që janë brenda shtëpisë. Duhet të mbulohen pjesët e trupit (edhe bërryli deri te supet) edhe para grave të huaja edhe para atyre personave që janë mahrem, duke pas frikën e fitnes.

Në parim është e detyrueshme mbulimi i trupit, sidomos në ditët e sotme, duke pasur në konsideratë dukuritë negative të përhapura në mesin e grave, pasi ato e përshkruajnë njëra tjetrën dhe një gjë e tillë nuk lejohet.

Lexoni këto ajete:

Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata.

Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, babajve të vet ose babave të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmendën) dhe robëreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt të cilët nuk ndiejnë nevojë për femrat ose fëmijët që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra. Le të mos kërcasin me këmbët e tyre për ta zbuluar fshehtësinë nga stolitë e tyre. Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” (Nur: 30-31)

Gjithashtu kujto edhe këtë thënie profetike:

I Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Në fund të Umetit tim do të ketë njerëz që hipin mbi disa lloj samarësh që ngjajnë si shtëpi, zbresin prej tyre tek dyert e xhamive. Gratë e tyre janë të veshura, por të zhveshura, kokat e tyre janë si gungat e deveve të dobëta. Mallkojini ato sepse ato janë të mallkuara. Nëse do të ketë pas jush ndonjë popull, do t’u shërbejnë gratë tuaja grave të tyre, siç po ju shërbejnë juve gratë e popujve para jush.” [1]

Allahu e di më së miri!

Dr. Shefqet Krasniqi

———————–

[1] Ahmedi