Pyetja:

Kam një pyetje lidhur me disa paragjykime të gabuara të njerëzve ndaj Islamit si fe. Njerëz që deri dje ishin proklamuar si muslimanë, janë paraqitur me një sinqeritet të rrejshëm. Nuk po mundem ta kuptoj edhe pse ndoshta nuk është e vështirë përgjigjja e saj. Si mundet njeriu i cili deri dje ka agjëruar një muaj Ramazan, të thotë: “Duke parë muslimanë të llojllojshëm më dhimbsen ato ditë që kam agjëruar”! A thua vallë, shigjetat helmuese të shejtanit të mallkuar kanë arritur deri aty sa ta ç’rrënjosin nga zemrat e tyre Islamin si fe?
Ndoshta shija e alkooleve të ndryshme ka arritur ta çrrënjosë nga zemrat e tyre bindjen se ekziston Zoti, se ekziston Dita e Gjykimit ku duhet dhënë përgjegjësi për fjalët e thëna dhe veprat e bëra.

Allahu ka në dorë zemrat tona, pastë mëshirë ndaj atyre që i kanë të rrotulluara zemrat gabimisht nga shejtani i mallkuar në kthimin e tyre në qëllime të drejta dhe të mira!

***

Përgjigjja:

Imani është të besohet në Allahun, Një i vetëm, që nuk ka shoq në krijim e as që meriton dikush tjetër të adhurohet pos Tij, të besohet në melaiket e Tij, në librat e Tij të shpallur, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Ringjalljes dhe në caktimin e Allahut për gjërat e mira dhe të këqija.

Kur kompletohet imani dhe robi i bindet gjithë asaj që duhet besuar, mbetet ta deklarojë dëshminë se nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe dëshminë se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut, ta falë namazin, ta japë zeqatin e pasurisë, nëse posedon, ta agjërojë muajin e ramazanit si dhe të shkojë në haxhillëk nëse i ka kushtet materiale. Ky i fundit është Islami, respektivisht nënshtrimi praktik ndaj Allahut Fuqiplotë, të cilin e besoi më herët me bindje dhe zemër.

Pra, çdo vepër praktike në Islam, nuk është gjë tjetër pos një reflektim nënshtrimi i besimit, që është i fuqishëm në zemër. Nëse ai besim nuk është i fuqishëm, por sipërfaqësor apo fare nuk ekziston, atëherë njeriu nuk është në gjendje ta kryejë një vepër në praktikë fare, ose e kryen me shumë përtesë dhe më pas nuk është në gjendje të jetë i vazhdueshëm në kryerjen e asaj vepre. Shiko se si Allahu i përshkruan hipokritët – munafikët (të cilët shfaqen besimtarë, por në zemër fshehin mosbesimin) kur ata falin namaz:
Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak.” (En-Nisa, 142)

Njerëzit që nuk i kanë bindjet fetare të plota dhe besimin e kanë tejet të dobët, nuk gjejnë motiv të mjaftueshëm për të qëndruar të etur e të uritur gjatë tërë ditës së ramazanit, dhe më pastaj zënë në thua në gjëra që nuk u përkasin aspak dhe kinse në emër të ndonjë parregullsie që vëren në shoqërinë islame e braktisë të agjëruarit, faljen e namazit etj.

A nuk e vëren se cilës kategori i drejtohet Allahu me urdhrin për agjërim, ku thotë:
O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (ElBekare, 183)

Pse njerëzit nuk e mbulojnë identitetin kombëtar, nëse një pjesëtar i kombit bën një gjest të pahijshëm? Pse nuk braktis partinë politike të cilës i përket, nëse një pjesëtar i asaj partie ka bërë ndonjë turp? Pse nuk del nga simpatizuesit e një ekipi sportiv, nëse një lojtar apo simpatizant bën gjëra të pamoralshme? Etj.

Pse këta persona arsyetohen se nuk hyjnë në xhami derisa aty falet filani, kurse në vende të tjera nuk i pengon prezenca e njerëzve të paformuar që të hyjnë në atë vend, qoftë ai teatër, treg, dasmë, aeroplan apo diç tjetër.

Shumë thjesht mund të kuptosh nga njerëz të tillë se këtyre u mungon motivi i besimit në një masë apo tërësisht dhe në anën tjetër udhëhiqen nga dëshirat dhe pasionet e tyre, si imoraliteti, alkooli, bixhozi, kamata etj., gjëra këto që kundërshtohen me Islam dhe duke mos mundur që ta mbizotërojnë epshin dhe për të mos dalë qesharakë dhe kontradiktorë, mundohen që të arsyetohen për neglizhencën dhe përtesën e tyre për t’i kryer urdhrat islamë me arsyetime të kota dhe lehtë të zbuluara.

Pra thjesht, mundohen ta mashtrojnë Allahun, ashtu siç arsyetohen para njerëzve, ndërkaq harrojnë se Allahu di gjithë atë që e fshehin në zemrat e tyre. Allahu thotë:

Vërtet, Ai e di të dukshmen dhe çka është e fshehtë.” (A’la, 7) si dhe ajeti:

Edhe nëse ti flet me zë të lartë, (është e kotë, sepse) Ai, me të vërtetë, i di sekretet edhe më të fshehta.” (Ta Ha, 7)

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku