Pyetja:

Unë dhe burri im kemi një brengë e cila po na mundon. Ka pesë vite që jemi martuar por pa zakone fetare d.m.th. pa hoxhë, as dasmë nuk kemi bërë pasi që na duhej t’i rregullojmë shpejt letrat që të shkoj në kurbet. Pasi që jemi penduar të dy, të lutem më trego se çka duhet bërë që Allahu të na e falë këtë mëkat?

***

Përgjigjja:

Motër muslimane, për të qenë një bashkëshortësi e ligjshme duhet që burri dhe gruaja ta bëjnë kurorëzimin sipas Sheriatit. Ndonëse dasma është e obliguar sipas disa dijetarëve, kurse e preferuar sipas disa të tjerëve, ajo në asnjë rast nuk ka ndikim në legjitimitetin e bashkëshortësisë apo martesës. Edhe atëherë kur bëhet dasma, por nuk bëhet kurorëzimi, martesa është e jashtëligjshme, si dhe në të kundërtën, nëse kurorëzimi është bërë, por nuk ka pasur dasmë, martesa është e ligjshme.

Në rastin tuaj, pavarësisht kohës që ka kaluar, ju duhet urgjentisht ta bëni kontratën martesore kudo që të jeni, duke ftuar një hoxhë, dy dëshmitarë muslimanë dhe prindin tuaj (apo ndonjë të autorizuar nga ai) dhe ta kryeni këtë formalitet të nevojshëm për t’i legjitimuar lidhjet tuaja.

Për kohën që ka ikur, duhet të pendoheni sinqerisht dhe të kërkoni nga Allahu që t’ju falë. Derisa nuk e keni ditur rëndësinë e kësaj çështje, shpresojmë që Allahu t’ju falë. Nëse keni fëmijë, ata do të konsiderohen të ligjshëm për shkak të paditurisë suaj lidhur me niqahun – kontratën martesore te hoxha.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku