Pyetja:

A është i vërtetë hadithi i Pejgamberit Muhamed ﷺ: “Vërtet, disa poezi janë urtësi.”?

***

Përgjigjja:

Hadithi për të cilin keni pyetur është sahih dhe e transmetojnë imamët; Buhariu, Ebu Davudi, Tirmidhiu etj.

Ngaqë poezia përdorej për të shprehur gjërat e pamoralshme, e jashtëligjshme etj., si dhe zbritja e Kur’anit si mrekulli e fjalës dhe përmbajtjes kundërshtohej me poezi, në atë kohë mendohej se poezia e tëra ishte haram dhe e kotë. I Dërguari i Allahut, ﷺ, për ta thyer atë tabu të krijuar, i kishte lajmëruar shokët e tij se nuk është çdo poezi e ndaluar dhe që përmban mesazh të keq, por ka nga poezia që është urtësi dhe mësim, këshillë dhe udhëzim. Andaj nëse poezia përmban gjëra të mira që nuk e kundërshtojnë Allahun dhe fenë e Tij në përgjithësi, është poezi e mirë dhe ndoshta e preferuar. E nëse është në të kundërtën, apo ka përmbajtje jo-edukative, atëherë edhe dispozita e saj fetare do të ishte e ndaluar.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku