Pyetja:

Para 8 muajsh kam marrë veturë me kredi pa ia vënë veshin se çfarë thotë Islami për kamatën. Mirëpo 3-4 muajt e fundit kam lexuar shumë për kamatën, unë fal 5 kohët e namazit dhe tani jam i dëshpëruar.

Ndihem keq, nuk kam fuqi financiare që veturën të cilën e kam marrë ta paguaj menjëherë dhe dua të di se çfarë duhet të bëj në këtë rast. Unë jam penduar, mirëpo ai pendimi im nuk mund të tejkalohet pasi kredinë e kam për 5 vite ndërsa nga ana tjetër nuk kam të ardhura që ta mbuloj përnjëherë, pasi jam student. E gjithë kjo më intereson se a ka rrugëdalje të menjëhershme apo jo?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Falënderojmë Allahun e Lartësuar që ju udhëzoi në rrugën e drejtë dhe ju kuptuat dëmin e mëkatit që keni bërë. Pika e parë që duhet të bëni është që ju të pendoheni sinqerisht tek Allahu i Gjithëmëshirshëm, për këtë vepër dhe të ndieni keqardhje e mërzi. Patjetër pendimi nga mëkati duhet të shoqërohet me keqardhje dhe pishmanllëk, pastaj të mundoheni të gjeni rrugëdalje konkrete që të pastroheni nga barra e kësaj kontrate dhe të dilni sa më shpejt nga kjo gjendje në të cilën jeni ngarkuar. Mendojmë se ju duhet të kërkoni nga ata që kanë mundësi materiale që t`ju japin borxh dhe ta bëni pagesën e kërkuar menjëherë, për t’u liruar nga kjo kontratë kamatare. Vazhdoni të hulumtoni mundësitë te njerëzit që i njihni dhe me lejen e Allahut, nëse ju e jepni mundin, Allahu i Plotfuqishëm do t`ju gjejë rrugëdalje.

Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi