Pyetja:

Jam 23-vjeçare. Ka 6 vjet që jam në lidhje me një djalë, që të dy falim 5 kohë namaz. Para 4 vitesh na kanë larguar prej shkollës për shkak të lidhjes sonë, familja nuk na ka lejuar të bashkohemi për shkak se unë jam nga Llapi e ai është nga ana e Drenicës. Ky ka qenë shkaku që familja nuk na kanë lejuar të bashkohemi dhe tani, kohët e fundit, kam kuptuar se të parët e mi e kanë pasur mbiemrin Havolli e tani edhe ai djali i ka dajat Havolli. Unë më shumë e shoh të kuptueshme të bashkohem me atë sesa të marr një të devijuar siç do familja ime.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Motër e nderuar, do të jemi të drejtpërdrejtë me ju dhe ju themi se formulimi i pyetjes suaj nuk kërkon përgjigje rreth një veprimi ose mosveprimi, por ju kërkoni që ne të shprehim përkrahje për pozicionin tuaj. Kjo aludon se sa thellë ka shkuar lidhja juaj me personin që përmendni. Sido që të jetë, ne shumë herë e kemi përmendur problemin e lidhjeve mes meshkujve e femrave para martese ose fejese. Fatkeqësisht shumë të rinj, madje edhe ata që pretendojnë se pasojnë urdhrat e Allahut të Madhëruar, janë shpërfillës në këtë dhe i konsiderojnë lidhjet e këtilla si normale e të natyrshme. Pastaj kur ballafaqohen me frytin e shpërfilljes dhe të mëkatit, drejtohen për të kërkuar zgjidhje. Pa u zgjeruar më shumë në këtë pikë, ju këshillojmë për veprime me maturi.

Ndërsa në lidhje me mënyrën se si do t’i qaseni problemit tuaj, ju themi se sheriatikisht nuk keni ndonjë ndalesë që do ta pengonte bashkimin tuaj, por duhet të hulumtoni metodat të cilat do ta zbusin situatën dhe refuzimin e familjes. Për ne nuk janë të qarta arsyet e refuzimit të familjes, por mendojmë se nëse ju zgjidhni forma të drejta, është e mundur që ata të pranojnë. Mundohuni të gjeni dikë nga familja juaj apo ndonjë mik të familjes që do të mund të flasë dhe të ndërmjetësojë për problemin tuaj.

Lusim Allahun e Lartësuar që t`ju forcojë në fenë e Tij dhe të gjeni më të mirën në këtë botë dhe në botën tjetër. Amin!

Alaudin Abazi