Pyetja:

Si bëhet nijeti për akika domethënë për të prerë kurban për fëmijë dhe a bën të prehet në ditën e Kurban Bajramit?

***

Përgjigjja:

Së pari, të përmendim se Akika quhet kurbani i cili therret për hirë të Allahut të Madhërishëm, për një fëmijë që lind.

Te çështja e nijetit, bazike është ajo që ti ke në mendjen tënde, gjegjësisht çfarë ke patur për qëllim duke e therrur nji kurban. Nëse e ke patur për qëllim në veten tënde Akikan për fëmijë, kjo mjafton dhe nuk obligohesh me gjë tjetër në kuptim të nijetit. Me këtë e kam për qëllim se nuk obligohesh që gjatë therrjes së Akikas të shprehesh gojarisht:”E bëj nijet ta therri këtë kurban për akika”. Jo, kjo nuk kërkohet prej teje, por, nijet është ajo që e ke për qëllim ti kur e ke marrur ta therrish këtë kafshë. Ajo që kërkohet prej teje është që të bësh bismilah kur do ta therrish, e jo të thuash gojarisht e bëj nijet këtë kafshë ta therri Akika. Nijet është ajo që ke në veten tënde, dhe mos mendo se nëse nuk e thua nijetin gojarisht, nuk e ke bërë nijet Akikan. Jo, kjo nuk është e vërtetë. Mjafton pëpr vlefshmëri të nijetit, ajo që ke për qëllim në veten tënde.

Ndërkaq, për sa i përket pyetjes tjetër se a bën të therret Akika në ditët e Kurban Bajramit, përgjigja është se lejohet të therret Akika në ditët e Kurban Bajramit dhe nuk ka asnji pengesë në këtë drejtim. Nuk ka ndalesë, as në Kur’an dhe as në Sunet që të therret Akika në ditët e Kurban Bajramit. Këto janë ditë të vlefshme, ditë adhurimi, dhe nuk ka pse të mos therret Akika në këto ditë. Për të thënë se ky veprim është i ndaluar, duhet të kemi argument prej Kur’ani apo prej Suneti. Derisa nuk ka ndonji argument të tillë, ngelet në fuqi lejimi i therrjes. Pastaj, duhet ditur se kurbani që therret në këto ditë është Akika, nëse personi përkatëse e ka patur për qëllim Akika, nuk ka pengesë që të jetë Akika për fëmijë, pse therret në ditët e Kurban Bajramit.

Allahu e di më së miri.

Bashkim Aliu