Pyetja:

Kam disa vite me një femër dhe me të kam bërë mëkate, por për këto sinqerisht pendohem dhe falje prej Allahut kërkoj. Tani për tani vajza nuk ndodhet në vendin ku unë jetoj, por kur të vijë dua të vendos nikah me të, inshallah.

Dua t’ju pyes: a do m’i fal Allahu mëkatet, duke pasur parasysh se kërkimi i faljes është i sinqertë dhe se unë atë vajzë do ta kem grua, pavarësisht mëkateve që i kam bërë me të pa qenë në nikah?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Këtej nga ne thonë: “Më mirë syri se nami”. Allahu na faltë për të metat që s’na i dinë njerëzit.

Së pari, lus Allahun të të ruajë e të të begatoje me një martesë që të jetë dhe vula e fitnes për ty.

Së dyti, o vëlla, kur Allahu iu drejtua në Kuran atyre që dogjën besimtaret, siç është në suren Buruxh, ata që dogjën besimtarët dhe besimtaret po nuk u penduan, do të ndëshkohen me një ndëshkim tepër të ashpër dhe djegës. Kur këtyre Allahu iu la shans e mundësi për t’ua pranuar pendimin, ç’mendon ti për mëkatet e tjera? Ju këshilloj, gjithashtu, të lexoni fundin e sures El Furkan, ku Zoti trajton pikërisht këtë gjë.

Së treti, ajo që ka kaluar ka kaluar, elhamdulilah që ti je penduar, kur ajo të kthehet, vendos lidhje të rregullta martesore (nikah), në mënyrë që të qetësoheni. Allahu jua lehtësoftë!

Së katërti, mos harro se tani që ti do t’i futesh kësaj pune me hallall, do të fillojnë dhe sprovat, sepse deri dje shejtanin e kishit mik, ndërsa tashme për ju ai do te jete armiku dhe si pasojë ju këshilloj të ruheni prej tij. Dua të të them se nëse deri dje me shejtanin si të tretë keni duruar çdo gjë që mund të buronte nga ju të dy karshi njëri-tjetrit, atëherë duroni me Allahun se për hir të Tij ia vlen më shumë. Allahu ju ruajt, o vëllai im!

E lus Allahun të kem qenë i qartë! Allahu e di më së miri.

Ahmed Kalaja