Pyetja:

Kam një pyetje: kur kam qenë më e re kam pas shkuar një herë në xhami për të dëgjuar ders, por aty kam pas dëgjuar se nuk është e lavdëruar që kur të bësh namaz ta bësh shumë të madhe atë punë, p.sh. e kam falë drekën e në atë kohë vjen ndonjë shoqe e unë s’duhet t’i them asaj që veç sa e fala drekën. A duhet kallëzuar që je duke u falë apo të thuash veç sa u fala apo kam me u falë? Se unë bëj namaz që pre shumë vitesh por ka shumë njerëz që nuk e dinë këtë. Disa veç më thonë pse nuk bën namaz e unë kthehem e iu them: unë bëj namaz por s’ka nevojë me dit gjithkush pasi unë e bëj atë veç për Allahun xhele shanehu. Faleminderit.

***

Përgjigjja:

Motër muslimane, është e vërtetë se çdo vepër të mirë që e bëjmë duhet ta bëjmë për hir të Allahut dhe nga çdo mëkat që heqim dorë, duhet ta bëjmë këtë për hir të Allahut. Nuk lejohet që ndonjë rit ditor, javor, vjetor etj. ta bëjmë për hir të ndonjë krijese, sepse një gjë e tillë është shirk, dhe në vend se muslimani të bënte sevap mund të bënte gjynahun më të madh në adhurim. Këtë mëkat e bëjnë njerëzit që zakonisht nuk falin namazin p.sh., por falen në situata të caktuara kur ngushtohen prej dikujt. Nganjëherë ndodh që muslimani ta bën një vepër të mirë, që e bën edhe fshehurazi dhe e bën për hir të Allahut, por në momente të caktuara ka dëshirë ta dijnë edhe njerëzit si p.sh. dorëdhënia, lëmosha etj. Në këtë rast ky njeri do ta bënte shirkun e vogël, që ndryshe e quajmë syefaqësi apo hipokrizi në vepër, e që po ashtu është e papëlqyer dhe është rrënuese e sevapeve.

Veprat që janë obligim mbi çdo musliman, të tillat nuk kërkohet që t’i bëjmë fshehurazi, gjoja për ta evituar dyshimin e syefaqësisë. Për këtë arsye, për gjininë mashkullore kërkohet apo preferohet që namazet t’i kryejnë sheshazi në xhami me xhemat. Nuk ka kurrfarë logjike që dikush të arsyetohej për mosshkuarje në xhami nga frika e syefaqësisë.Ajo që preferohet të mbahet fshehtas, do të ishte ndonjë adhurim vullnetar, i cili bëhet jo sheshazi dhe është prej cilësive të robërve të dashur si p.sh. namazi i natës, ndonjë ditë agjërimi nafile, lëmoshat e fshehta etj.Kurse nuk kërkohet që ta fshehim faljen e namazeve ditore, agjërimin e Ramazanit, dhënien e Zekatit, shkuarjen në haxhillëk etj.Muslimani apo muslimania, kur e kryen namazin në mënyrë të rregullt, nuk e ka më për qëllim që të lavdërohet para njerëzve, por përkundrazi, synon që edhe të tjerët t’i bindë për ta përfillur urdhrin e Allahut për namaz, si dhe e konsiderojnë namazin si punë të përditshmërisë dhe gjërat i lidhë gjithnjë me namaz, duke thënë “e bëra këtë para namazit të ikindisë”, “shkova atje para se ta fali namazin e akshamit”, “pushova pasi e fala namazin e jacisë” etj. sikurse tjetri që thotë; “dola në ora kaq”, “vizitova atë në mbrëmje” etj.
Kështu, nuk ka të keqe nëse përmendet para njerëzve kryerja e ibadeteve të obliguara, duke mos synuar syefaqësinë, por duke treguar realitetin e veprimit që e kryen vetëm për hir të Allahut.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku