Pyetje: Es-selamu Alejkum hoxhë i nderuar Omer ef. Bajrami a ka mundesi te me tregoni si duhet festuar ditlindjen e Muhamedit a.s. a duhet te agjerojm ate dite apo dishka tjeter?
Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Vëlla i dashur, festimi i ditëlindjes së Muhamedit (salallahu alejhiveselem) pa dyshim se është një risi në fenë e Allahut, për të cilën nuk ka asnjë argument dhe të cilën nuk e kanë vepruar të parët tanë.
Thotë Shejh Ibn Uthejmin: (Për ata të cilët e festojnë këtë ditë) A e ka ditur Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) se muslimanët duhet të festojnë ditëlindjen e tij? Nëse përgjigjja është: JO, atëherë nënkupton se Muhamedi (salallahu alejhi veselem) paska qenë injorant në ndonjë çështje të sheriatit. E nëse përgjigjja është: PO, atëherë nënkupton se Muhamedi (salallahu alejhi veselem) paska fshehur diçka nga sheriati. E që të dyja këto janë të pamundura për të Dërguarin (salallahu alejhi veselem).
Gjithashtu agjërimi në këtë ditë, si madhërim dhe veçim i kësaj dite nga të tjerat, nuk është prej sunetit, ngase për ditëlindjen e tij së pari nuk kemi ndonjë datë të sigurtë dhe të vërtetë që në të nuk ka dyshim dhe së dyti ne jemi të urdhëruar të pasojmë Pejgamberin (salallahu alejhiveselem), dhe nëse agjërojmë, agjërojmë ditët që i ka agjëruar ai, apo ditët që na ka porositur t’i agjërojmë. Kështuqë prej sunetit është agjërimi në ditën e hënë dhe të enjte, apo tri ditë në muaj, apo një ditë po një jo, e kështu me rradhë, e nuk është prej sunetit veçimi i ditës së ditëlindjes së tij për agjërim, dhikër, salavatë, apo për ndonjë adhurim tjetër.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami