Pyetja:  Me vonesë e kam kuptuar se veshkët e mia formojnë gurrë dhe një mjek musliman dhe i devotshëm (sa e vërej unë) ma lehtësoi duke më këshilluar që ta prish agjërimin gjatë muajit të Ramazanit. Sa për sqarim, qëllimi i tij është që të pijë ujë sa më shpesh gjatë ditës, ashtu që të mbrohem nga formimi i gurëve. A obligohem që ta prish agjërimin në Ramazan?

Përgjigja: Falënderimi i takon Allahut.

Nëse mjeku musliman dhe i besueshëm konstaton se agjërimi të dëmton dhe të urdhëron që ta prishësh agjërimin, në këtë rast sipas sheriatit duhet që ta marrësh lehtësimin e Allahut të madhërishëm.

Thotë Allahu i lartësuar:

((فَمَنْ كَانَ مِنْكُمْ مَرِيضًا أَوْ عَلَى سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِنْ أَيَّامٍ أُخَرَ))

“E kush prej jush është i sëmurë apo në udhëtim le ta plotësoj (agjërimin) nga ditët tjera”  [1]

Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pra, i sëmuri dhe udhëtari nuk agjërojnë sepse të dyja në vete mbartin vështirësi, dhe këta e prishin agjërimin dhe e plotësojnë atë me ditë tjera”. [2]

Dhe nuk është e nevojshme që njeriu t’ia vështirëson vetes, ndërsa vet Allahu ia ka lehtësuar atij, për këtë ka thënë i Dërguari i Allahut (alejhi-selam): “Allahu e pëlqen që të merren lehtësimet, ashtu siç e urren që të shkelen ndalesat e tij”[3]

Nëse për sëmundjen nuk shpresohet që të shërohet, atëherë nuk agjëron i sëmuri dhe për çdo ditë e ushqen nga një të varfër dhe nëse shpresohet se do ti kalon sëmundja dhe do të shërohet në të ardhmen, i plotëson ditët që nuk i ka agjëruar kur të shërohet.

Thotë dijetari Muhamed Salih el-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë): “ Dijetarët sëmundjet i kanë ndarë në dy grupe kur është fjala për agjërimin, në grupin e parë hyjnë sëmundjet të cilat shpresohet që të shërohen, në këtë rast muslimani nuk agjëron gjatë Ramazanit dhe ato ditë i plotëson kur të shërohet. Në grupin e dytë bëjnë pjesë sëmundjet të cilat nuk shpresohet që të shërohen, dhe në këtë rast i sëmuri nuk agjëron dhe për çdo ditë ai duhet që ta ushqen nga një të varfër, dhe ky ushqim është në vend të agjërimit”. [4]

Janë pyetur dijetarët e Komisionit të përhershme për Fetva:  “Për një grua e cila para se të hyn muaji i Ramazanit është operuar dhe nuk ia mundësoi Allahu që ta agjëron Ramazanin, operacioni: Heqja e tërësishme e njërës veshkë dhe largimi i gurëve nga veshka tjetër dhe mjekët ia kanë ndaluar asaj agjërimin gjatë tërë jetës së saj.

Janë përgjigjur:

“Nëse mjeku musliman dhe i besueshëm konstaton se agjërimi e dëmton atë, atëherë duhet që të mos agjëron dhe në vend të agjërimit e ushqen një të varfër nga një gjysmë Sa’i[5] grurë ose oriz ose hurma ose të ngjashme me to nga ushqimi i atij vendi, dhe nuk lejohet pagesa me para”.[6]

Është pyetur dijetari Ibn Uthejmini:

Jam operuar në veshkën e majtë në fillim të muajit të Ramazanit të kaluar dhe nuk pata mundësi që ta agjëroj atë muaj sepse nuk kisha mundësi që të duroj pa ujë as një gjysmë ore dhe ende nuk e kam plotësuar deri më sot, çka të bëjë?

Përgjigja: “Nuk ke mëkat përderisa nuk ke mundësi që të agjërosh dhe nëse kjo vazhdon kështu dhe mjekët konstatojnë se ti patjetër e ke të pish ujë ma shpesh brenda ditës, atëherë nuk obligohesh me agjërim, mirëpo obligohesh me ushqimin e një të varfëri për çdo ditë”.[7]

Duke u bazuar në këto argumente dhe fetva sipas islamit ty të takon që të mos agjërosh dhe si kompensim ta ushqesh për çdo ditë nga një të varfër, në qoftë se mjeku konstaton se ti edhe në të ardhmen nuk do të mund të agjërosh.

Mirëpo nëse shpresohet që ti do të shërohesh ndonjë ditë, atëherë duhet që të mos agjërosh përderisa je i sëmurë dhe të presësh që kur të shërohesh ti plotësosh ato ditë.

Allahu e di më së miri.

IslamQ&A

Përktheu: Sejfullah Sejfuli


[1] (el-Bekare, 184)

[2] (Tefsir Ibn Kethir, 1/498)

[3] (Transmeton Ahmedi, 5832 dhe e vërtetoj Dijetari Nasirudin Albani në “ Sahih el-Xhami’”.

[4] (“Fetava Nurun Ala ed-Derb” – Li Ibn Uthejmin 216/48).

[5] (Njësi matëse e veçantë me të cilën e kanë matur zeqatin në kohën e Profetit alejhi-selam).

[6] (“Fetava el-Lexhne ed-Daime”, 10/182-183)

[7] (“Fetava Nurun ala ed-Derb”, Li ibni Uthejmin, 216/40)