Pyetja:

Disa haxhilerë e kanë bindjen se patjetër duhet të vizitohet varri i Pejgamberit ﷺ pas kryerjes së haxhit, sa qëndron dhe a është kjo bindje sipas sheriatit islam?

***

Përgjigjja:

Kjo bindje aspak nuk ka bazë në Islam. Transmetohen disa hadithe të trilluara dhe të shpifura në lidhje me këto gjëra, si psh: “Kush e kryen haxhin dhe nuk më viziton mua (varrin tim) veçse më ka nënçmuar e refuzuar.” [1]

Gjithashtu, hadithi tjetër i trilluar: “Kush e kryen haxhin dhe pastaj e viziton varrin tim pas vdekjes sime, është njësoj sikur të më ketë vizituar dhe shoqëruar gjatë jetë sime sa isha gjallë.” [2]

Këto dy hadithe nuk janë fjalë të Pejgamberit ﷺ por janë të trilluara. Në dy librat e sakta të hadithit, gjenden hadithet se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Të udhëtuarit me qëllim të vizitës (me qëllim fetar) nuk duhet të bëhet askund tjetër përveç në tri xhamitë: Mesxhidul Harami (Qabeja), Mesxhidul Aksa (në Palestinë) dhe në Xhaminë time (në Medine).” [3]
Pëlqehet që njeriu të synoj që përmes shkuarjes në haxh, të falë namaz edhe në xhaminë e Pejgamberit ﷺ në Medine. Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Namazi në këtë xhami (në xhaminë e Pejgamberit ﷺ në Medine) është më me vlerë se njëmijë namaze se sa në xhamitë tjera, përpos Qabes (Mesxhdul Haramit në Mekë).” [4]

Kurse, nëse vjen e falet në xhaminë e Pejgamberit ﷺ, atëherë e viziton edhe varrin e tij ﷺ dhe shokëve të tij (Omerit dhe Ebu Bekrit). Prej risive (bidateve) të shëmtuara është edhe prekja e varrit (duke synuar bereqet) të Pejgamberit ﷺ.
Imam Ahmedi, ka thënë: “Ulemaja e selefit nuk e preknin varrin e Pejgamberit ﷺ, gjatë vizitës që ia bënin.”

Prej bidateve, gjithashtu është edhe bërja duave nga njerëzit për veten e tyre në drejtim të varrit apo tek varri i Muhamedit ﷺ. Ndërsa Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Kush vepron një vepër e cila nuk ka bazë (tek Kurani dhe Suneti), ajo vepër është e refuzuar.” [5]

Shejh Hamed Ibn Abdullah Ibn Abdulaziz El Hamed

Përktheu: Suad Shabani

—————————

[1] Darekutni në “Sunen” (162) – I trilluar/shpifur

[2] Darkutni në “Sunen” (192), në Mu’xhemul Kebir (13497), në Mu’xhemul Eusat (3376), në Shuabul Iman (4154), dhe Bejhekiu në Sunenul Kubra (10045) – I trilluar/shpifur.

[3] Buhariu (1132);Muslimi (1397).

[4] Buhariu dhe Muslimi.

[5] Buhariu (1132); Muslimi (1399).