Pyetja:

A e prish agjërimin pirja apo kapërdirja e ujit pa dashje nga agjëruesi p.sh. gjatë gargarës apo ujëthithjes me hundë kur merret abdes, ose kur lahet trupi, dhëmbët apo ngjashëm?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Gargara (shpërlarja e gojës) që bëhet për arsye të abdesit ose jo, nuk ndikon në vlefshmërinë e agjërimit, përderisa uji nuk hyn në bark.

Kurse në mënyrë më të zgjeruar në lidhje me pirjen apo kapërdirjen e ujit pa dashje nga agjëruesi gjatë abdesit, guslit, larjes së dhëmbëve, larjes për t’u freskuar dhe ngjashëm, juristët muslimanë kanë përmendur sa vijon:

Së pari: Nëse agjëruesit i shkon pa dashje uji në fyt

Mendimi i parë: Nëse agjëruesit i shkon pa dashje uji në fyt, atij i prishet agjërimi

Mendimi i medh’hebit hanefi dhe maliki është se mbërritja e ujit në fytin (grykën) e agjëruesit e prish agjërimin e tij, pavarësisht nëse ka qenë brenda kornizës së adhurimit (si p.sh.: gargara për abdes etj.) apo jashtë kësaj kornize, si dhe pavarësisht a ka qenë ky agjërim i obliguar ose vullnetar.

Mendimi i dytë: Dispozita në këtë rast diskutohet varësisht faktit nëse agjëruesit i shkon uji pa dashje në fyt brenda kornizës së adhurimit ose jashtë saj; më konkretisht mbështetësit e këtij mendimi e trajtojnë këtë çështje si vijon:

Çështja e parë: Nëse shkuarja e ujit në fytin e agjëruesit ka ndodhur brenda kornizës së adhurimit dhe ka ndodhur pa dashjen, pa teprinë dhe pa shkujdesin e tij, atij nuk i prishet agjërimi

Çështja e dytë: Nëse agjëruesit i shkon pa dashje uji në fyt gjatë kryerjes me tepri të një veprimi që i përket kornizës së adhurimeve ose që është i panevojshëm

a. Nëse agjëruesit i shkon pa dashje uji në fyt, gjatë kryerjes me tepri ose pakujdesi të një veprimi që i takon kornizës së adhurimit dhe i përket nevojës që është e justifikuar ligjërisht, agjërimi i të këtillit nuk prishet.

b. Nëse agjëruesit i shkon pa dashje uji në fyt, gjatë kryerjes me tepri ose pakujdesi të një veprimi që s’i takon kornizës së adhurimit dhe s’i përket nevojës që është e justifikuar ligjërisht, agjërimi i të këtillit nuk prishet.

Së dyti: Nëse agjëruesi dyshon se i ka shkuar uji në fyt gjatë veprimeve të kornizës së adhurimit apo jashtë tyre, mendimi i saktë është se i këtilli nuk e prish agjërimin.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi