PYETJA:
Dikush më pyeti: kam lexuar dhe në Kur’an e kudo thuhet se Allahu udhëzon atë që do. Nëse Ai vendos fatin e të gjithëve, çka ngelet për njerëzit të bëjnë? Dmth, a e luftoj unë fatin tim, p.sh. që të bëhem besimtare më e mirë?
Mua a më mbetet që të kem dorë në punët e mia dhe në udhëzimin kah e drejta, apo të pres që të më udhëzojë Allahu?
Çfarë përgjigje më kishe dhënë ti me ia kthyer asaj motre???
All-llahu ju shpërbleft me të mirat e Tij.
PËRGJIGJA:
Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe mëshira qofshin mbi Muhamedin, familjen, shokët dhe gjithë besimtarët që ndjekin rrugën e tij.
Pyetja jote futet në radhët e çështjeve të kaderit dhe konsiderohet prej më të vështirave dhe të rëndësishmeve në Islam. Ajo duhet trajtuar shumë me kujdes dhe shpesh njerëzit, nga injoranca e tyre, ndodh që të gabojnë në perceptimin e saj, pse jo edhe të mbeten në hamendje. Rol të madh, si pozitiv ashtu edhe negativ, luajnë edhe njerëzit (hoxhallarët) që u drejtohen pyetje të tilla.
Për të mos e zgjatur dhe shtjelluar tërë çështjen e kaderit në këtë pyetje, unë do të përgjigjem vetëm aq sa keni pyetur ju, duke e ndarë shpjegimin në disa pika, që të jetë më i lehtë për t’u perceptuar.
1. Askush nuk e di se si është fati i tij dhe çfarë do të ndodhë me të në të ardhmen, prandaj Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë:
“Punoni, sepse secilit do t’i lehtësohet të punojë atë për të cilën është krijuar”.
Pra, ti nuk e di se çfarë është caktuar për ty, andaj duhet t’ia prishësh vetes kah e mira dhe e mbara, sepse kjo është obligim për njeriun. Rizkun të gjithë e dimë se është i caktuar, porse a thotë ndokush nga hoxhallarët se nuk duhet të punosh për ta arritur atë? Gjithashtu, nëse dikush nuk punon, por arsyetohet se jam duke e pritur të gatshëm rizkun tim, ne e kritikojmë të gjithë dhe themi se rizku nuk vjen nën jastëk. Kështu edhe udhëzimi dhe Xheneti nuk vijnë duke fjetur, por duke punuar.
2. Ti nuk e ke obligim e as nuk do të mund ta dish çka je i shkruar tek Allahu, njeri i mirë apo i keq, andaj pse të ndalesh dhe të presësh kot? Kurse nga ana tjetër, ti je i obliguar t’i kryesh obligimet e Zotit, pa të interesuar se ku je i shkruar për Xhenet apo Xhehenem, sepse dituria e tillë është tek Zoti, ndërsa tek ti mbetet të punosh atë që je obliguar.
Andaj pse nuk e shikon punën tënde, por merresh me punët e Zotit? E jotja është të punosh, kurse e Atij është ta ketë në dijen e Tij për ty çfarë njeriu je, xhenetli apo jo.
3. Allahu çdo gjë e ka shkruar, por nuk i ka detyruar njerëzit me punë të tilla. Pra, Ai me dijen e Tij e ka shkruar dhe e di se ti çka do të punosh kur të të krijojë, porse ky shkrim i Tij nuk është punë detyrimi, mirëpo informimi. Kështu, ti duhet të punosh sa më mirë që të mundesh nga punët islame.
Pra, Allahu nuk detyron askënd me punë, porse Ai vetëm e di se ti çka do të bësh në të ardhmen, dhe atë çka ti e bën, nuk e bën ndryshe veçse me vullnetin dhe lejen e Zotit, e jo me detyrimin e Tij. Sepse po të ishte detyrim nga Zoti, atëherë mëkatarët do të arsyetoheshin në Ditën e Gjykimit: pse po na dënon kur Ti, o Zot, vetë na ke detyruar me këto punë të këqija?
Prandaj e vërteta është se çdo punë ndodh me vullnetin e vetë njeriut (janë për qëllim punët në të cilat njeriu ka mundësi të zgjedhë, si p.sh. Islam apo kufër, mëkat apo sevap, e nuk janë për qëllim ato që nuk ke vullnet në to, si p.sh. kur ke lindur, nuk të ka pyetur Zoti a do të të krijojë mashkull apo femër, shqiptar apo turk, etj.).
Kurse Zoti vetëm e lejon dhe e di se çka po bën robi i Tij, pa e detyruar, porse gjithsesi me dijen, lejen dhe vullnetin paraprak të Allahut (por jo me detyrimin – prapë e përsërita këtë pikë që të mos harrohet, sepse është kyçe në këtë çështje).
Këto tri pika janë kyçe dhe kryesore në këtë pyetje tënden. Vërtetë është pak e vështirë për t’i kuptuar me të parën, porse lexoji disa herë me vëmendje dhe do t’i kuptosh.
Allahu e di më së miri!
Me respekt,
Hoxhë Lulzim Susuri




