Pyetja

Nëna ime më thotë që t’ia jap telefonin gjatë natës. Nuk ia jap gjithmonë për dy arsye: ende dua ta përdor telefonin dhe dua ta kem për t’u zgjuar në kohë për namazin e sabahut. Mirëpo, kur ia jap telefonin, nuk zgjohem në kohë për namazin e sabahut dhe për pasojë e fal atë vetëm pasi zgjohem.

Çfarë duhet të bëj? A duhet t’ia jap nënës sime telefonin apo jo?

Përgjigjja

Falënderimi i plotë i takon Allahut, Zotit të botëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është rob dhe i Dërguari i Tij.

Bindja ndaj prindërve është detyrim në ato çështje që u sjellin dobi atyre, për sa kohë që nga kjo nuk i shkaktohet dëm fëmijës. Në rastin që keni përmendur, nuk shohim se dhënia e telefonit nënës suaj do t’ju shkaktonte ndonjë dëm të vërtetë.

Sa i përket nevojës suaj për telefonin, mund t’i jepni përparësi nënës suaj në përdorimin e tij, duke përmbushur dëshirën e saj dhe duke ia gëzuar zemrën, veçanërisht nëse telefonin e përdorni kryesisht për gjëra jo të domosdoshme. Për më tepër, këtë mund ta kompensoni duke lexuar ose duke përdorur një pajisje tjetër, si p.sh. një kompjuter.

Sa i përket asaj që përmendët për namazin e sabahut, mjafton t’i kërkoni nënës suaj që t’ju zgjojë për namaz dhe t’ia shpjegoni se telefoni ju nevojitet për këtë qëllim. Nëse ajo merr përsipër t’ju zgjojë, atëherë qëllimi është arritur.

Gjithashtu, mund ta zëvendësoni telefonin me një orë alarmi të thjeshtë dhe me kosto të ulët, e cila do t’ju zgjojë për namazin e sabahut, përderisa nëna juaj ka nevojë për telefonin.

Si përfundim, nderimi dhe bindja ndaj prindërve zënë një pozitë shumë të lartë në Islam. Prandaj, nuk duhet ta shqetësoni apo ta zemëroni nënën tuaj për këtë çështje.

Allahu e di më së miri.

Burimi: /www.islamweb.net/ Solli në gjuhen shqipe pergjigje.net