Pyetje: Kam dëgjuar prej disa njerëzve që thonë se femrat varrosen më thellë sesa meshkujt. A ka kjo ndonjë domethënie? Kisha pasur dëshirë të më jepni argumente se cila është më e saktë


 Përgjigje: Dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me thellësinë e varrit. Imam Shafiu thotë: Thellësia e tij duhet të jetë aq sa është i gjatë i vdekuri. Omer ibn AbdulAzizi thotë: Thellësia e tij duhet të jetë deri në kërthizë. Imam Maliku thotë: Nuk ka ndonjë gjë të caktuar rreth thellësisë së tij. Ndërsa Imam Ahmedi thotë: Thellësia e tij duhet të jetë deri në gjoks. 

Por nuk di ndonjë dallim ndërmjet thellësisë së varrit të meshkujve dhe femrave. Me rëndësi është që varri të jetë i thellë dhe mos të zbulohet për shkak të ndonjë ere apo uji, që të ruhet dhe mos të merret nëpër këmbë trupi i të vdekurit.  

Thotë Imam Ahmedi: Hapet varri deri në gjoks. Burrat dhe gratë në këtë janë të njëjtë. (El-Mugnij – Kitabul Xhenaiz, 2/1576) 

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami