Pyetja: Jam fejuar gjatë kohës qe isha me menstruacione,  a konsiderohet kjo fejesë e saktë dhe autentike? Nëse jo, çfarë duhet të veprojmë?

Përgjigje:
Lidhja e kurorës gjatë menstruacioneve është e saktë dhe autentike. Cikli mujor nuk e pengon fare lidhjen e kurorës, sepse në parim të gjitha kontratat janë të lejuara, përveç atyre që kemi argumente nga Kurani dhe Suneti që i ndalojnë. Nuk ekziston asnjë argument që e ndalon lidhjen e kurorës gjatë menstruacioneve.

Duhet bërë dallim mes lidhjes së kurorës dhe divorcit. Divorci gjatë menstruacioneve nuk lejohet dhe është i ndaluar. I Dërguari i Allahut ﷺ u hidhërua kur dëgjoi se Abdullah ibën Omeri, radijallahu anhu, e kishte divorcuar gruan e tij gjatë menstruacioneve. Pejgamberi ﷺ e urdhëroi që ta kthente bashkëshorten dhe të priste derisa të pastrohej, pastaj të kalonte edhe një cikël tjetër, e më pas kishte zgjedhje: ose ta mbante, ose ta divorconte para se të kryente marrëdhënie intime me të.

Gjithashtu Allahu, subhanehu ue teala, thotë:

“O Profet! Nëse i ndani gratë, ndajini ato para kohës së tyre të pritjes. Llogaritni kohën e tyre të pritjes dhe frikësojuni Allahut, Zotit tuaj. Mos i dëboni ato prej shtëpive të tyre, por edhe ato të mos dalin, me përjashtim të rastit kur shkelin martesën haptazi. Këto janë urdhërimet e Allahut; kushdo që i kapërcen kufijtë e Allahut, i ka bërë dëm vetvetes. Ti nuk e di se pas kësaj Allahu mund të sjellë ndonjë rrethanë tjetër.” (et Tamam, 1)

Burrit nuk i lejohet ta lërë gruan e tij gjatë menstruacioneve dhe as gjatë pastrimit pasi të ketë marrëdhënie seksuale me të kur nuk është shtatzënë, e nëse është shtatzënë, atëherë lejohet ta divorcojë.