Pyetja:

A është haram mbajtja e vathit për djalin e hasretit?

***

Përgjigjja:

Nëpër vendet tona mund të shihen shumë dukuri dhe elemente të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë me Islamin, bile edhe janë në kundërshtim me parimet bazë të besimit islam, siç është besimi në kadanë dhe kaderin e Allahut. Në mesin e këtyre gjërave të cilat nuk kanë bazë në besimin islam, e poashtu edhe bien ndesh me parimet e besimit, është edhe vënia e vathit në veshë të djemve të cilët janë të vetëm, apo siç quhen nga popullata përmallë.

Disa nga ata që e bëjnë këtë, na kanë thënë se këtë e bëjnë si pokush, nëse nuk u kanë jetuar djemtë e mëparshëm, apo nuk kanë patur djalë. Dhe tash, pyetja është: A thua ky vath do ta mbroje djalin që mos vdesë? Apo, çka tjetër, pse e mban vathin?

Nëse ekziston bindja se vathi e mbron djalin, Allahu na ruajt kjo është shirk, jo vetëm haram. Ngase personi mendon se edhe dikush tjetër, pos Allahut, ka mundësi ta mbrojë djalin nga vdekja apo nga të këqijat në përgjithësi. Nëse këtë e mendon vetëm si sebep, ndërkaq beson se Allahu e mbron, përsëri e ke gabim, se Allahu nuk na ka thënë të marrim sebepe të këtilla, bile i ngjanë shumë asaj që bënin idhujtarët me idhujt e tyre.
Allahu i Madhëruar thotë: “Kur u thuhej atyre se pse i adhuroni këto idhuj për kotë, kur e dini se nuk kanë fuqi? Thonin: ’’…Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut…’’ (Ez-Zumer: 3)
Pra, edhe kjo mënyrë e të menduarit është gabim.

Së këtejmi, vënia e vathit për djemtë që janë të vetëm, është e ndaluar-haram, nuk lejohet që ta bën një musliman, ngase bie ndesh me besimin e pastër islam. Nëse ekziston bindja se me këtë veprim sigurohet apo mbrohet djali, Allahu na ruajt, kjo çon në shirk.

Poashtu, ky veprim është i ndaluar edhe nga një aspekt tjetër. I Dërguari i Allahut ﷺ i ka mallkuar ata meshkuj që u përgjasojnë femrave dhe ato femra që u përgjasojnë meshkujve. Në rastin konkret, këtë djalë e kap edhe mallkimi, ngase vathët janë për femrat e jo për meshkujt. Nëse mashkulli ven vath, atëherë u përgjason femrave, gjë që është e ndaluar në fenë Islame.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu