Pyetja:

Në lidhje me bojkotin e mëkatareve kërkoj një sqarim sepse unë para disa ditësh i kam bërë bojkot një vëllai, andaj dua ta di a kam vepruar mirë. Jam munduar që të veproj në mbështetje me argumentet dhe në dobinë që kam parë. Ngjarja ka qenë se ai vëlla fal namaz dhe vjen nëpër ligjërata, mirëpo i ka disa mangësi në praktikimin e fesë dhe unë e kam këshilluar dhe i kam treguar disa hadithe në mënyrë të butë e kam këshilluar po ai e ka zënë si asgjë dhe nuk ka ndërmarrë kurrgjë, pastaj duke e pasur parasysh se veprimi im ndikon tek ai, atëherë e kam përdorur bojkotin dhe nuk i kam dhënë selam dhe nuk i kam folur. Pas disa ditësh ai ka ndryshuar dhe i ka përmirësuar gabimet e veta, mirëpo me mua me si duket nuk dëshiron të pajtohet dhe këtë çështje e ka përhapur nderimet vëllezërve se si kam vepruar unë. Jam i kënaqur që ai i ka ndryshuar ato gjëra se kështu është më afër Allahut edhe pse me mua nuk flet, se disa njerëz nuk janë të gatshëm t’i pranojnë këshillat dhe unë nuk e kam këshilluar në publik e as nuk e kam bojkotuar në publik, të gjitha këto i kam bërë në mënyrë të fshehtë vetëm me të. Desha një përgjigje rreth kësaj se a kam vepruar mirë apo jo ngase po vihet njeriu ndonjëherë në dyshim.

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Bojkotimi i njerëzve dhe individëve (në gjuhën arabe Hexhri), është njëra nga ato çështjet që në kohën bashkëkohore është keqkuptuar më së shumti nga ana e muslimanëve. Kjo mesele edhe pse ka bazë në jurisprudencën islame, fatkeqësisht, për shkak të kuptimit gabim, ka krijuar shumë mospajtime, përçarje dhe huti në mesin e besimtarëve.

Ndërprerja e raportit me një person ose disa, duke nënkuptuar, mos foljen, mos shoqërimin, mos përshëndetjen dhe gjëra tjera, është një veprim që i nënshtrohet rrethanave dhe situatave të cilat janë prezent në momentin kur ne dëshirojmë ta aplikojmë atë. Pastaj hexhri (bojkotimi) i tjetrit është disa lloje e forma dhe ne nuk do të kemi mundësi të flasim dhe ti sqarojmë, për shkak të një numri shumë të madh të pyetjeve që presin përgjigje, por nëse gjejmë kohë, do të mundohemi në një temë të veçantë ti shtjellojmë për shkak të rëndësisë së tyre.

Sidoqoftë, rasti i juaj konkret ndërlidhet me llojin e bojkotimit të një myslimani, si formë e ndëshkimit që ai të edukohet (disiplinohet) dhe të largohet nga një mëkat apo disa mëkate. Shembulli më konkret për këtë lloj të bojkotit, që njëherazi është edhe argument për të, është rasti kur i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, i bojkotoi tre nga shokët e tij, për mungesën e tyre në betejën e Tebukut. Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, pesëdhjetë e dy ditë e bojkotoi Kab Bin Malikun me dy shokë të tjerë dhe për këtë rast edhe zbriti ajeti 118 i surës Et Tevbe.[1]

Arsyeja e lejimit të këtij bojkoti është dobia e cila synohet për personin të cilin e bojkotojmë. Prandaj kjo dallon prej rrethanave në të cilat dëshirojmë ta aplikojmë, ashtu si varet edhe nga natyra dhe karakteri i personit që e bojkotojmë.

Nëse vetëm ndalemi dhe thellohemi në ngjarjen e Kab bin Malikut dhe dy shokëve të tij, atëherë vërejmë se ata tre nuk ishin të vetmit që munguan në këtë betejë, megjithatë i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi ta, vetëm këta tre i bojkotoi, ndërkohë që të tjerët i la. Rasti në fjalë na jep të kuptojmë se ky lloj i bojkotit të myslimanit si metodë e edukimit dhe përmirësimit i nënshtrohet disa kritereve dhe parimeve. Prandaj edhe Shejhul Islam Ibën Tejmije, kur flet për këtë problematikë, përmend kriteret të cilat duhet të kihen parasysh gjatë aplikimit të këtij bojkoti.[2]

Ai thekson se ndër kriteret më thelbësorë të këtij bojkoti është që personi i cili aplikon bojkotin, duhet të jetë njeri me karakter të fortë dhe me autoritet, sikurse rasti i të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, me Kab Bin Malikun. Kjo për faktin se objektivi i këtij bojkoti është disiplinimi i mëkatarit, që ai të përmirësohet dhe nëse bojkotuesi është një person që nuk ka autoritet te i bojkotuari, atëherë vështirë është të ndikohet dhe me këtë nuk arrihet synimi. Prandaj kjo mund të jetë pozitive nëse ndodh p.sh. nga prindi me fëmijën e tij, ose vëllai i madh me të voglin, ose një njeri me personalitet me dike ndaj të cilit ka ndikim. Pastaj mund të jetë i arsyeshëm edhe nga burri me gruan e ti dhe e kundërta, gruaja me burrin e saj.

Ndërsa në rastin tuaj konkret, mendojmë se ju që të dy jeni shokë e moshatarë, prandaj edhe reagimi i atij vëllai, edhe pse është përmirësuar me falënderimin e Allahut, mund të ketë ngritur ndjenjën e rivalitetit dhe pakënaqësisë me ty. Nuk e themi se ky lloj i bojkotit nuk do duhej të aplikohej në mesin e shokëve, por themi se kjo varet se kush është ai person i cili zbaton këtë bojkot. Prandaj ne nuk kemi mundësinë që ta gjykojmë se a keni vepruar drejtë apo jo, pasi që nuk i kemi parasysh raportin ne mes teje dhe atij shokut, pastaj çfarë është karakteri i tij dhe gjëra tjera. Mirëpo ne në vazhdim do tu japim edhe disa parime të rëndësishme në lidhje me këtë lloj të bojkotit.

Ibën Tejmije tregon se ndër kriteret tjera që duhet të kihen parasysh është edhe natyra e personit që e bojkotojmë. Kjo për faktin se janë disa njerëz që ndoshta ky bojkot mund të ndikoj negativisht tek ata. Prandaj edhe i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, bëri dallim mes njerëzve, me disa aplikoi bojkotin për ti përmirësuar, sikurse në shembullin e Kab bin Malikut, ndërkohë me disa të tjerë, aplikoi të kundërtën e bojkotit, gjithashtu me synimin ti përmirësoj.

Ibën Tejmije e cek se kur i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, hyri në Meke ditën e çlirimit të tij, bisedoi me njerëzit dhe disa ia përmendën se Ebu Sufjani, udhëheqësi i Mekasëve, është i pari i Kurejshitëve dhe ka dëshirë të respektohet dhe e do që të lavdërohet. Atëherë, me të hyrë në Meke Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, deklaroi se kush hynë e rri në shtëpinë e tij do të jetë i siguruar dhe kush hynë në shtëpinë e Ebu Sufjanit, do të jetë i siguruar. Me këtë veprim dëshiroi i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, që të manifestoj respekt ndaj Ebu Sufjanit i cili kishte pranuar Islamin atëherë, mirëpo pasi që ai kishte këtë lloj të natyrës dhe karakterit, me këtë veprim e afroi atë dhe e bëri që ta dojë Islamin edhe më shumë. Kështu edhe ndodhi, pasi që me një rast Ebu Sufjani edhe deklarohet me këtë, si rezultat i këtyre veprimeve të qëlluara që i bëri i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ndaj tij.

Nuk do të zgjerohemi më shumë, megjithëse edhe jemi zgjeruar, por kjo vetëm për shkak se deshëm të sqarojmë se parimet e jurisprudencës Islame, me falënderimin e Zotit janë të qarta sikurse drita e Diellit në mes të ditës, mirëpo mjerisht e keqja qëndron në atë se njerëzit gjatë aplikimit të tij krijojnë devijime e keqkuptime. Zoti e di më së miri!

Alaudin Abazi

[1] Allahu i Madhërishëm thotë: “Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve, që mbetën prapa atëherë, kur toka, sado e gjerë, iu duk e ngushtë dhe iu shtrënguan shpirtrat, aq sa u bindën se nuk ka strehim tjetër përveç Allahut e pastaj Allahu u dha mëshirë që të pendohen. Me të vërtetë, Allahu pranon pendimin dhe është Mëshirëplotë.”

[2] “Mexhmul Fetava Shejhil Islam Ibën Tejmije”, Vëll. 28, f. 203-210