Pyetja:

Është përhapur mendimi se shpirti i Pejgamberit ﷺ është prezent në çdo kohë, ku ndër tjerash thuhet:
Besimi i Ehli Sunetit është se Pejgamberi ﷺ është:

1- Prezent dhe na sheh tërë kohën.

2- Ka njohuri dhe është dëshmitar mbi krijesat e Allahut.

3- Ka mundësi të jetë prezent në më shumë se një vend në të njëjtën kohë.
Këtë e argumentojnë me fjalët e Allahut: “O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmitarë.“ (Ahzab: 45) dhe fjalën: Dhe si do të jetë gjendja e atyre (që nuk besuan), kur Ne do të sjellim dëshmitarë për çdo popull, e ty do të sjellim dëshmitarë mbi ata.” (Nisa: 41).
Vërehet se Pejgamberi ﷺ thuhet se është dëshmitarë për popujt të cilët Allahu i ka krijuar në këtë tokë dhe mu për këtë duhet që Pejgamberi ﷺ të jetë prezent para lindjes dhe të vazhdojë të jetë prezent edhe pas vdekjes së tij. Përndryshe nuk do të mund të thuhej për të se është dëshmitarë për këta popuj, ku edhe siç e dini kemi ajete të shumta që tregojnë se Muhamedi ﷺ ishte dëshmitar.

***

Përgjigjja:

Falënderimi dhe lavdia më e sinqertë i takon Allahut të Madhëruar, ndërsa paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë mbi Muhammedin ﷺ, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi gjithë ata që e ndoqën, ndjekin dhe do ta ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Kiametit.
Falenderojmë Allahun e Madhëruar që e bëri të Dërguarin ﷺ njeriun më të përsosur, më të mirë, më të dashur dhe më të lartësuar tek Allahu por nuk nënkuptohet nga kjo se të Dërguarit ﷺ me këto privilegje i janë larguar cilësitë njerëzore, madje as që i është dhënë atij diçka nga veçoritë e Zotit të Madhëruar.
I Dërguari i Allahut ﷺ ishte një njeri sikur të gjithë njerëzit tjerë, e goditnin gjëra që i goditnin të gjithë njerëzit,  si sëmundje, plagë por edhe vdekja ishte ajo që e përjetoi i Dërguari i Allahut ﷺ, Allahu i Madhëruar thotë: Ti je i vdekur edhe ata janë të vdekur.” (Zumer: 30)
Gjithashtu në ajet tjetër thotë: “Ne, asnjë njeriu para teje (Muhammed) nuk i dhamë jetë të përhershme, e nëse ti vdes, a mos do të mbesin ata përgjithmonë?” (Enbija: 34).
Pejgamberi ﷺ ka vdekur dhe është varrosur në varrin e tij dhe mu për këtë ka thënë Ebu Bekr Es-Sidik: “O ju njerëz! Kush e ka adhuruar Muhamedin, le ta dijë se Muhamedi ﷺ ka vdekur, ndërsa kush e ka adhuruar Zotin e vetëm, le ta dijë se Zoti jeton dhe nuk vdes.”
Ndërsa të qenurit e Muhamedit ﷺ dëshmitarë, përgëzues dhe qortues apo dëshmitarë për ta në ditën e Gjykimit, nuk do të thotë se ai duhet të jetë prezent tek të gjithë popujt e mëparshëm, bile as se duhet të jetë i pavdekshëm deri në ditën e Kiametit. Gjithashtu nuk nënkuptohet se i Dërguari i Allahut ﷺ nga varri i tij është dëshmitarë i asaj çka ata veprojnë, sepse dëshmija nuk është e kushtëzuar me prezencë apo shikim por ai do të dëshmojë për popujt me informatat që ia ka treguar Allahu i Madhëruar. Dhe kjo është shumë e qartë pasiqë i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e din të fshehtën. Allahu i Madhëruar thotë: “Sikur ta dija të fshehtën, do t’i shumfishoja për vete të dobishmet.“ (Araf: 188).
Gjithashtu duhet ditur se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk mund të jetë në disa vende në të njëjtën kohë por ai është në një vend, në varrin e tij dhe kjo është sipas koncenzusit të gjithë muslimanëve.

Përktheu: Senad Ramadani