Pyetja:

A është i vlefshëm agjërimi, nëse e presim syfyrin zgjuar, dhe pastaj flejmë pjesën më të madhe të ditës?

***

Përgjigjja:

Agjërimi në rastin e theksuar do të jetë i rregullt sepse i plotëson kushtet teknike bazë të agjërimit. Mirëpo, sesa do të vlejë agjërimi i dikujt në peshojën e mizanit, përkatësisht, sa do të ketë veprim efektiv në sjelljen e agjëruesit, në forcimin e fesë tij, të imanit, të islamit dhe ihsanit, është pyetje tjetër. Qëllimi kryesor i agjërimit është treguar në Kuran: “Që të bëheni të devotshëm.” (Bekare: 183)

Pyetja është se sa mund të fitohet cilësia e devotshmërisë dhe vetëdijes për Zotin duke e konvertuar natën në ditë dhe ditën në natë, dmth. duke u kotur dhe duke fjetur pjesën më të madhe të ditës kur jemi duke agjëruar. Për këtë le të mendojë secili agjërues dhe vetë le ta vlerësojë cilësinë dhe nivelin e agjërimit të tij, pastaj, në dritën e atij vlerësimi le të korrigjojë çka mund të korrigjohet.

Në një transmetim nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thuhet: “Vlerësoni dhe kontrolloni veten tuaj, para se t’ju vlerësojnë dhe kontrollojnë të tjerët!”

Përcillet nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që agjëron Ramazanin me një besim të paluhatshëm dhe duke shpresuar në shpërblim (imanen ve ihtisaben), atij i falen mëkatet (e vogla) e së kaluarës.” [1]

Agjërimi është një ibadet shumë i lartë. Pejgamberi ﷺ ka thënë se Allahu ka thënë: “Agjërimi (ai) është i Imi dhe Unë shpërblej për të!” [2]
Pra, duhet të kryhet seriozisht dhe me përkushtim, në mënyrë që agjëruesi t’i realizojë objektivat për të cilat së cilave ky ibadet i rëndësishëm edhe është përcaktuar.

Fetva-i emin në BIH prof. dr. Enes Ljevakoviq

Përshtati: Miftar Ajdini

——————

[1] Buhariu dhe Muslimi
[2] Buhariu