Pyetja:
A është e drejtë që ISIS-i të etiketohet si hauarixh? Dihet se hauarixhët janë ata që i nxjerrin njerëzit nga feja, nëse ata bëjnë gjynahe të mëdha, ndërsa ISIS-i nuk e ka këtë besim.
***
Përgjigjja:
Lavdërimi i takon Allahut, paqja dhe bekimet qofshin për të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ
Hauarixhët janë një nga sektet më të liga, dhe më të rrezikshmit në mesin e muslimanëve. Pikërisht për këtë arsye i gjejmë karakteristikat e tyre të shpjeguara qartësisht në Sunetin e Profetit, në mënyrë që njerëzit të mos gënjehen pas tyre. Këto karakteristika përmbushen mjaft mirë tek ISIS-i. Në hadithe nuk ka diçka të prerë që të përcaktohet si kusht se për të qenë hauarixh duhet të ngrihesh në kryengritje ndaj prijësit të muslimanëve apo t’i nxjerrësh muslimanët nga feja kur bëjnë gjynahe të mëdha. Për sa i përket përkufizimeve dhe bazave të doktrinave të tyre, që përmenden nga dijetarët, ato janë përafruese dhe përshkrime që tregojnë se ku kishte përfunduar sekti i hauarixhëve në kohën e tyre. Më poshtë po e sqarojmë më qartë se si:
Së pari: kriteri që merret në konsideratë dhe fjala përfundimtare për të përkufizuar hauarixhët apo për të përshkruar një sekt ose grupim me këtë emër, është ajo që është përmendur në tekstet e fesë. Suneti i Profetit ﷺ i ka detajuar këto karakteristika të hauarixhëve, ashtu siç nuk ka detajuar asnjë sekt tjetër, dhe kjo pikërisht për shkak të rrezikut të madh që ata paraqesin dhe mashtrimit të shpejtë që bien njerëzit pas tyre. Disa nga tiparet më të rëndësishme të tyre janë tekfiri (me pa të drejtë), lejimi i vrasjeve, keqkuptimi i teksteve të Kuranit dhe Sunetit, mendjelehtësia, mosha e re dhe ndenja e epërsisë si dhe e vetëmashtrimit.
Së dyti: Ajo që përmendin shumë prej dijetarëve se, sekti i hauarixhëve përmban bindje se muslimani që bën gjynahe të mëdha del nga feja, nuk është një tipar i përgjithshëm i të gjithë hauarixhëve dhe as nuk është kusht për të përshkruar dikë si hauarixh. Tek hauarixhët futen të gjithë ata që i nxjerrin muslimanët nga feja me pa të drejtë dhe e lejojnë vrasjen e tyre, edhe nëse këta nuk besojnë se ai që bën gjynahe të mëdha del nga feja. Ajo çfarë thuhet në përshkrimin profetik për ta është se, ata “vrasin muslimanët”. Dijetarët kanë shpjeguar se shkaku i këtyre vrasjeve është gjykimi që ata japin për ta “si të dalë nga feja” si dhe kufri me të cilin ata etiketojnë opozitarët e tyre.
Kurtubui ka thënë: “Kjo, sepse ata i gjykuan si qafirë muslimanët, prej të cilëve u larguan dhe kështu që ata e lejuan vrasjen e tyre.” (el-mufhim)
Ibn Tejmije ka thënë: “Te hauarixhët, fetaria më e madhe për ta është: të ndahen nga xhemati i muslimanëve dhe të lejojnë cenimin e gjakut dhe pasurive të tyre.” (el-fetaua)
Po ashtu ai ka thënë: “Ata e lejojnë vrasjen e muslimanëve, duke besuar se ata kanë dalë prej feje dhe për ta kjo është më e lejuar sesa vrasja e qafirëve, të cilët nuk janë renegatë.”
Ibn Abdulberri ka thënë: “Ata (hauarixhët) janë njerëz që duke interpretuar (gabim) librin e Allahut lejuan vrasjen e muslimanëve, i konsideruan ata si të dalë nga feja, për shkak të gjynaheve, dhe ngritën shpatën kundra tyre.” (el-Istidhkar)
Hauarixhët të cilët ngritën krye kundra prijësit të besimtarëve, Ali ibn Ebi Talib dhe shokëve të Profetit ﷺ, nuk ishin prej atyre që besonin se, ai që bënte gjynahe të mëdha si imoraliteti, vjedhja dhe konsumimi i pijeve dehëse dilte nga feja, por ata i konsideruan sahabet si jomuslimanë, sepse ata pranuan arbitrazhin (tahkim) mes tyre, kur në fakt një veprim i tillë nuk është aspak gjynah. Ata i konsideruan Aliun dhe Muauijen, të dy si qafirë, po kështu edhe ata dy sahabët që morën pjesë në arbitrazh dhe të gjithë ata që qenë të kënaqur që çështja të shkonte në arbitrazh, dhe kështu ata lejuan vrasjen e tyre. Ndërkohë sahabët gjykuan për ta se ata janë hauarixh, pikërisht ata, për të cilët u kishte folur Profeti ﷺ, pikërisht për atë çfarë ata bënë dhe as nuk i pyetën ata për besimin e tyre në lidhje gjynahet e tjera, nëse ata i gjykojnë si qafirë ata që i kryejnë ato apo jo. Madje, “Nexhedatet”, sipas mendimit të përgjithshëm të dijetarëve një nga rrymat kryesore të hauarixhëve, nuk u bëjnë tekfir muslimanëve për gjynahet e mëdha. Ebu el-Hasan el-Esharij duke treguar besimin e tyre thotë: “Ata të gjithë janë të një mendje se të gjitha gjynahet e mëdha janë kufër, me përjashtim të nexhedateve, të cilët nuk e thonë këtë gjë.” (Mekalat el-islamijin)
Kështu që mund të themi se tipari përmbledhës i hauarixhëve është: Nxjerrja e muslimanëve nga feja, me pa të drejtë, dhe lejimi i vrasjes së tyre.
Tekfiri (nxjerrja nga feja) shfaqet në forma të ndryshme, si p.sh: nxjerrje nga feja për shkak të gjynaheve të mëdha, ose thjesht gjynahe, nxjerrje nga feja për gjëra që nuk janë fare gjynahe, nxjerrja nga feja me hamendje, me gjëra të dyshimta dhe të mundshme, ose për gjëra që mospajtimi për to është i lejuar dhe pranohet ixhtihadi (opinion islam), nxjerrja nga feja pa i verifikuar gjërat mirë dhe pa plotësuar kriteret e tekfirit dhe hequr pengesat që nuk të lejojnë të konsiderosh muslimanin qafir.
Nëse dijetarët e kanë konsideruar si hauarixh atë që i nxjerr nga feja muslimanët, kur ata bëjnë gjynahe të mëdha, çfarë mund të thuhet për ata që i konsiderojnë muslimanët qafirë për gjëra të vogla dhe madje për çështje ixhtihadije (opinionesh) apo gjëra që janë të lejuara, si p.sh. të takohesh me jomuslimanët dhe të komunikosh me ta?
Së treti: Nuk gjejmë në tekstet fetare ndonjë argument që të kushtëzojë se, quhet hauarixh ai që ngrihet në kryengritje ndaj prijësit të besimtarëve. Por, kushdo që ka besimin e tyre dhe ndjek metodën e tyre, ai është hauarixh, ngre krye kundra prijësit të muslimanëve ose jo.
Dalja kundra prijësve të muslimanëve, te hauarixhët, është rezultat i tekfirit të muslimanëve me pa të drejtë si dhe lejimi i vrasjes së tyre. Nëse haurixhët ndodhen diku që ka një prijës, i dalin kundra, lejojnë vrasjen dhe marrjen e pasurisë së tyre, por nëse ndodhen diku ku nuk ka ndonjë prijës, e lejojnë vrasjen e muslimanëve, mes tyre edhe muxhahidinëve, dijetarëve dhe thirrësve islam.
Ata janë quajtur “hauarixh” (të dalët) sepse dalin nga dispozitat e fesë dhe ndahen nga xhemati i muslimanëve, siç thotë Profeti ﷺ: “Në kohën e fundit do të dalin njerëz me dhëmbë të rinj, mendjelehtë, thonë fjalët më të mira mes njerëzve, e lexojnë Kuranin, por ai nuk ua kalon gurmazin e tyre, dalin nga feja si shigjeta nga gjahu. Nëse përballeni me ta luftojini, sepse në eliminimin e tyre ka shpërblim tek Allahu Ditën e Gjykimit.” (Buhariu & Muslimi)
Ibn Haxheri thotë: “Ata janë quajtur të tillë (haurixh) sepse janë larguar nga feja dhe kanë dalë kundra muslimanëve më të mirë.” (Fet’hul bari)
Neveviu ka thënë: “Ata janë quajtur “hauarixh”, sepse i janë larguar xhematit të muslimanëve; thuhet po ashtu, sepse i janë larguar rrugës së xhematit; thuhet po ashtu, sepse Profeti ﷺ, ka thënë: “do të dalë nga rrënja e këtij njeriu” (Sherhu Muslim)
Në kohën e sulmeve tartare, njerëzit nuk ishin të një mendje sesi duhet ti gjykonin ata, por Ibn Tejmija i konsideroji ata të ngjashëm me hauarixhët, edhe pse ata në fakt nuk kishin ngritur krye kundër ndonjë prijësi. Ibn Kethiri në librin e tij “Bidajetu ue nihaje” thotë: “Njerëzit kanë folur rreth asaj sesi duhet të luftohen tartarët, si duhet të konsiderohen ata, sepse ata shfaqen si muslimanë dhe nuk janë as rebelë ndaj Prijësit, sepse ata nuk kishin qenë të bindur ndonjëherë ndaj tij dhe më pas ngritën krye! Shejh Tekijudin (Ibn Tejmije) ka thënë për ta: “Ata janë prej llojit të hauarixhëve, të cilët dolën kundra Aliut dhe Muauijes, dhe ishin të mendimit se e drejta ishte në anën e tyre më shumë sesa atyre të dyve, po kështu ata pretendojnë se e meritojnë më shumë se muslimanët e tjerë që të vendosin të vërtetën.”
Nëse hauarixhët arrijnë të ngrenë një shtet të tyrin, kjo nuk ua heq atyre cilësimin si hauarixh, sepse hauarixhët gjatë gjithë historisë islame kanë ngritur shtete dhe principata, madje ka pasur mes tyre edhe të atillë që kanë pretenduar kalifatin dhe megjithatë ata përsëri janë cilësuar si hauarixh, përderisa ata i konsiderojnë muslimanët si qafirë dhe e lejojnë vrasjen e tyre.
Së katërti: Zelli në bindjen ndaj Zotit dhe sakrifikimi i vetvetes, thirrja për të vendosur Sheriatin, apo lufta ndaj tagutëve, nuk tregon domosdoshmërish se dikush është imun nga devijimet, përkundrazi me të tilla cilësi hauarixhët janë dalluar gjatë gjithë historisë së tyre.
Profeti ﷺ na ka lajmëruar për zellin e hauarixhëve në adhurim, në mënyrë që të mos gënjehemi prej tyre nga ky fakt, ai ka thënë: “Do të ketë prej jush që ta përçmojnë namazin e tyre para namazit që bëjnë ata, dhe agjërimin para agjërimit të tyre.” (Buhariu & Muslimi)
Ibn Haxheri ka thënë: “Ata emërtoheshin si “kurra” (lexues të Kuranit), sepse ata ishin shumë të zellshëm në leximin e tij dhe në adhurim, por se ata e interpretonin Kuranin jo sipas qëllimit të tij; nuk pranonin mendim tjetër nga ai i tyre dhe sfiliteshin në asketizëm, në përqendrimin në adhurim etj.” (Fet’hul bari)
Profeti ﷺ gjithashtu na ka lajmëruar se ata thonë fjalë të mira dhe shfaqin thirrje për tek e vërteta: “Thonë fjalë të mira, por veprojnë gabim.” (Ahmedi, Ebu Davudi) “Thonë fjalë të hakut, por nuk ua kalon gurmazin.” (Ahmedi)
Sindi duke komentuar këtë thotë: “Kjo do të thotë se ata thonë në dukje fjalë që janë nga fjalët më të mira që thonë njerëzit, si p.sh.: gjykimi i takon vetëm Allahut, ejani të gjykojmë me librin e Allahut, etj.” (Hashijetu Sunen en-Nesai)
Krerët e hauarixhëve qenë mbledhur në kohën e Aliut dhe dhanë besën se do të gjykonin me Kuran, do të kërkonin të drejtën dhe do të refuzonin padrejtësinë, do të luftonin zullumqarët dhe nuk do të jepeshin pas kësaj bote, do të urdhëronin për të mira dhe ndalonin nga e keqja, e më pas luftuan ndaj sahabëve!
Së pesti: ISIS-i (Deuleja) ka kryer mjaft kundërvajtje fetare, kjo dëshmohet nga fjalët e tyre dhe veprimet e shumta të tyre, të cilat të shtyjnë të gjykosh për ta se ata janë hauarixh dhe të devijuar nga rruga profetike. Dhe faktet për këtë janë:
1. Gjykimi që japin për vendet muslimane se ato janë vende të kufrit dhe të tradhtisë ndaj fesë, ndaj dhe sipas tyre është detyrim të emigrosh prej këtyre vendeve drejt vendeve që janë nën kontrollin dhe pushtetin e ISIS-it.
2. Ata i gjykojnë si qafirë dhe renegatë ata që janë kundra tyre dhe i akuzojnë si tradhtarë dhe shërbëtorë të qafirëve. Këtë e bëjnë me fakte të dyshimta, me gjëra që në fakt nuk janë as kufër, si p.sh. marrëdhëniet me qeveri dhe shtete të tjera, takime me përfaqësues të këtyre shteteve…
3. E lejojnë luftën kundra atyre që janë kundra metodës që ata përdorin, ose refuzon t’i nënshtrohet shtetit të tyre imagjinar. Praktikojnë mes muslimanëve rrëmbime, tradhti, burgosje, vrasje, ndëshkime… dërgojnë makina shpërthyese me eksploziv në qendrat e muxhahidëve, duke vrarë udhëheqës muxhahid të kryengritjes, thirrës islam, gazetarë dhe aktivistë, krime këto që as dy regjimet sektare të Irakut dhe Sirisë nuk i kanë bërë. Kanë luftuar kundra muslimanëve ashtu siç nuk kanë luftuar as armiqtë e tyre. Dhe të gjitha këto provojnë fjalë e Profetit ﷺ: “Vrasin muslimanët dhe lënë mënjanë idhujtarët.” (Buhariu & Muslimi)
4. E lejojnë marrjen e pasurisë së muslimanëve, me arsyetimin se do të luftojnë kundra grupeve të devijuara, i sekuestrojnë këto pasuri me pa të drejtë. Kanë monopolizuar burimet publike natyrore siç janë puset e naftës, depot e drithit etj. dhe sillen me to si pushtetarë të plotfuqishëm.
5. I janë larguar xhematit të muslimanëve duke e kufizuar hakun vetëm tek vetvetja dhe duke i gjykuar të gjithë ata që janë kundra tyre në idetë dhe projektin e tyre, si armiq të fesë. Veprimi i fundit që bën në këtë drejtim qe shpallja e “Kalifatit” dhe detyrimi që kanë të gjithë muslimanët për ti dhënë besën atij!
6. Mes tyre nuk gjen dijetarë, njerëz të njohur te muslimanët për dijen e tyre. Ata u ngjajnë paraardhësve të tyre prej hauarixhëve të cilëve Ibn Abasi u tha: “Po vijë nga shokët e Profetit ﷺ, nga muhaxhirët dhe ensarët… tek ta zbriti (Kurani), e mes jush nuk ka asnjë prej tyre.” (Trs. Hakimi)
Shumica e tyre janë në moshë të re, të cilët për nga natyra dominohen nga mendjelehtësia, nxitimi dhe zelli i tepruar, nga mungesa e largpamësisë dhe kuptimit, si dhe nga mendjengushtësia dhe mungesa e dijes. Ata janë tamam siç ka thënë për ta Profeti ﷺ: “Të rinj, mendjelehtë”.
Mungesa e njerëzve të ditur dhe të urtë ka ndikuar negativisht, duke bërë që ata të bëjnë budallallëqe dhe veprime të pamatura, pa vështruar në përfundimin dhe të ardhmen e gjërave, pa shikuar pasojat e dëmshme që u kanë sjellë muslimanëve. Dhe të gjitha këto i kanë bërë nën pretendimin se po thonë të vërtetën apo se i janë mbështetur Allahut!
7. Të gjitha këto elementë i shtyn ata të ndjehen kryelartë ndaj muslimanëve dhe të vetmashtrohen. Ata pretendojnë se vetëm ata janë luftëtar në rrugë të Allahut, që i njohin ligjet e Zotit në xhihad, ndaj dhe mburren së tepërmi me ato që bëjnë! Profeti ﷺ, për hauarixhët ka thënë: “Në mes jush do të ketë të atillë që bëjnë adhurim dhe sfiliten, aq sa njerëzit do të habiten prej tyre dhe ata do të habiten me veten; dalin nga feja si shigjeta nga gjahu.” (Trs. Ahmedi)
Është pikërisht ky vetmashtrim që i shtyn ata të zgjatin gjuhën ndaj njerëzve të ditur dhe të urtë dhe të mos marrin në konsideratë fjalët e tyre. Pretendojnë se dinë ndërkohë që përballen me ngjarje dhe çështje të mëdha pa asnjë përvojë dhe pas asnjë vizion. Refuzojnë të gjykohen nga gjykata të pavarura (islame) për ato që ka ndodhur mes tyre dhe grupeve të tjera. Po ashtu siç kanë ndihmuar regjimin kriminal (të Esedit) kundra muxhahidinëve, duke i rrethuar dhe i vrarë ata. Kanë shprehur kënaqësinë e tyre kur kanë parë humbjet dhe thyerjen e muxhahidinëve karshi regjimit (të Esedit) dhe sesi ai vinte nën kontroll pozicionet e tyre. Nuk është fare e pamundur që mes tyre kanë infiltruar armiq të Islamit, agjentura të huaja, të cilët ndikojnë në përplasjen mes muxhahidinëve, duke realizuar atë që se bëjnë doit drejtpërdrejtë në luftë.
Paraqitja e të gjitha këtyre elementëve të lig tek ISIS-i, çka nuk i gjen as te havarixhët e parë… i bën ata t’ua kalojnë havarixhëve të hershëm në devijimin e tyre. Gjykimi që ne japim se ISIS-i është prej havarixhëve, nuk do të thotë patjetër se të gjithë individët e tij janë të tillë, pasi ka mes tyre që janë të paditur me qëndrimet dhe fjalët e vetë ISIS-it apo janë të mashtruar prej tyre, por se të gjithë ata përfshihen në një gjykim të vetëm me mënyrën sesi duhet të sillemi me ta. Ne duhet të eliminojmë sherrin e tyre, dhe llogarinë do ta japin tek Allahu.
Lusim Allahun e Lartësuar, të udhëzojë të humburit mes tyre, të ndëshkojë zullumqarin dhe t’i shpëtojë muslimanët prej sherrit të tyre.
Hoxhë Justinian Topulli