Pyetja:

A është më mirë të lexohet sasi e vogël e Kuranit me meditim, apo sasi e madhe shpejt?

***

Përgjigjja:

Njerëzit u dalluan rreth asaj se çka është më mirë: të lexosh një sasi të pakët me
tertîl (recitim i ngadaltë, me vëmendje), apo të lexosh shpejt një sasi të madhe.
Lidhur me këtë, ka dy qëndrime:

Ibn Mes’ûd , Ibn Abas dhe të tjerë thanë se leximi i paktë me tertîl dhe
reflektim është më me vlerë, sesa leximi i shumtë me shpejtësi.
Mbështetësit e këtij qëndrimi u bazuan në faktin se qëllimi i të lexuarit është të
marrësh vesh, të reflektosh mbi atë që lexon dhe të punosh sipas saj. Dhe leximi
dhe mësimi përmendsh janë mënyra për ta kuptuar kuranin, siç tha njëri nga
Selefët: “Kurani u shpall që të punohet sipas tij, por leximi i tij konsiderohet
veprim.” Nga ky shkak, njerëzit e Kuranit janë ata, që kanë dije rreth tij dhe
punojnë në përputhje me atë çfarë thuhet në të, edhe nëse nuk e kanë mësuar
përmendsh atë.

Sa i përket atij që e mëson përmendsh Kuranin, por nuk e kupton atë apo nuk
punon sipas tij, ai nuk është prej njerëzve të Kuranit, ndonëse i lexon shkronjat e
tij në mënyrë të shkëlqyer.
Thanë: Kjo sepse imani është më me vlerë sesa veprimet, dhe të kuptuarit e
Kuranit dhe reflektimi mbi të janë gjëra që prodhojnë imanin. Sa i përket leximit
të shumtë pa e kuptuar dhe pa reflektuar, atëherë këtë e bën edhe i miri, edhe i
keqi; edhe besimtari, edhe munafiku, ashtu siç tregoi pejgamberi ﷺ:
Shembulli i munafikut që lexon Kuranin është si shembulli i borzilokut: erën e
ka të mirë, shijen të hidhur.

Lidhur me këtë, njerëzit ndahen në katër nivele:
 Njerëzit e imanit dhe të Kuranit, që janë njerëzit më të mirë
 Njerëzit pa Kuran dhe pa iman
 Njerëzit me Kuran, por pa iman
 Njerëzit me iman, por pa Kuran

Thanë: Ashtu siç ai që ka iman pa Kuran është më i mirë sesa i që ka Kuran pa
iman, ashtu ai që reflekton gjatë leximit dhe kupton është më i mirë sesa ai që
lexon shpejt e pa reflektim.
Thanë: Ky është udhëzimi i pejgamberit ﷺ, meqë ai lexonte një sure aq ngadalë,
saqë ajo zgjaste më shumë se një sure më e gjatë, dhe ndodhte që ai të lexonte
një ajet të vetëm deri në mëngjes.

Bashkëmendimtarët e Shafiut thanë: Sasia e shumtë e leximit është më me
vlerë, dhe këtë qëndrim e bazuan në hadithin e Ibn Mes’ûdit i cili tha: “I Dërguari i
Allahut ﷺ tha:
Kush lexon një shkronjë të vetëm nga Libri i Allahut, ka dhjetë sevape, dhe
çdo sevap shumëzohet dhjetëfish. Unë s’po them Elif-Lam-Mim është një
shkronjë e vetme, por Elif është një shkronjë, Lam është një shkronjë, dhe
Mim është një shkronjë.” (et-Tirmidhi; sahih)
Thanë: Kjo dhe për shkakun se Uthman ibn Affaan e lexoi tërë Kuranin në një
rekat të vetëm, dhe transmetimet lidhur me leximin e sasisë së shumtë
përmenden nga shumë Selefë.

Qëndrimi më i saktë në këtë çështje është të thuhet se shpërblimi i leximit me
tertîl dhe reflektim është më i mirë dhe më i lartë në shkallë, kurse shpërblimi për
leximin e shumtë është më i shumtë në numër. Kështu, shembulli i parë është si i
atij që jep një margaritar si sadaka apo liron një rob të vlefshëm; shembulli i dytë
është si i atij që jep sasi të mëdha të parave si sadaka apo liron një numër
robërish me vlerë jo të madhe.

Në Sahih el-Buhari, nga Katadeh: “Pyeta Enesin lidhur me leximin e pejgamberit ﷺ
dhe ai u përgjigj: ‘Ai i zgjaste zanoret e gjata.’”
Shu’bej tha se Ebu Hamza tregoi: “I thashë Ibn Abasit: ‘Unë vërtet lexoj shpejt,
dhe unë mund ta lexoj tërë Kuranin një apo dy herë gjatë natës.’ Ibn Abas u
përgjigj: ‘Që të lexoj një sure të vetme është më mbresëlënëse për mua sesa të
bëjë atë çfarë bën ti. Sikur ta lexoje si duhet, veshët e tu do ta dëgjonin dhe
zemra jote do të ishte e vëmendshme.’”
Ibrahim en-Nekha’i tha: “Alkame i lexoi Ibn Mes’ûdit dhe ai kishte një zë të bukur,
kështu që ai i tha: “Lexo me tertîl, se vërtet kjo është zbukurim i Kuranit.”
Ibn Mes’ûd tha: “Mos e lexoni Kuranin shpejt si të ishte poezi, dhe mos u ndalni
(mes çdo ajeti) si dikush që zgjedh frytet. Ndalu aty ku sheh madhështinë e ajetit
dhe bëj kjo të ta lëvizë zemrën, dhe mos u bezdis me mosarritjen e fundit të
sures.”
Dhe ai tha: “Kur Allahu thotë ‘O ju që keni besuar …’, ki vëmendjen për atë çfarë
do të dëgjosh, se vërtet ajo ose është një veprim i mirë për të cilin urdhërohesh,
ose një veprim i keq nga i cili ti duhet të largohesh.”
Abdur-Rahmaan ibn ebi Lejla tha: “U martova me një grua dhe ia lexova suren
el-Hûd, kështu që ajo tha: ‘O Abdur-Rrahmaan, kështu ti lexon suren el-Hûd?’
Pasha Allahun, unë kam qëndruar në këtë sure për gjashtë muajt e fundit dhe
ende nuk e kam përfunduar.”

I Dërguari i Allahut herë lexonte në heshtje në namaz të natës, herë lexonte
zëshëm; herë e zgjaste qëndrimin e tij, herë nuk e zgjaste. Ai, zakonisht, e falte
witrin në pjesën e fundit të natës, ose në pjesën e parë të saj, ose në pjesën e
mesme.

Ibn el-Kajjim, Zaad el-Mead 1/337-340