Pyetja:

Si qëndron çështja e leximit të Kuranit për të vdekurit, lejohet apo jo?

***

Përgjigjja:

Leximi i Kuranit për të vdekurit nuk ka bazë në islam, bazë e cila ia vlen të bazohemi dhe të argumentohemi me të. Ajo të cilën e legjitimon sheriati islam është leximi i Kuranit nga muslimani i cili është gjallë (është duke jetuar, ende nuk ka vdekur), në mënyrë që të meditojë rreth ajeteve të Kuranit, t’i studiojë ato e kështu me radhë.

Ndërsa, leximi i Kuranit për të vdekurit, qoftë tek varri i tij gjatë varrosjes, ose pas një kohe pas vdekjes së tij, për gjëra të tilla ne nuk jemi ne dijeni se kanë bazë në fenë e Allahut. Dijetarët, rreth kësaj meseleje kanë shkruar libra të ndryshme, një pakicë nga ta e kanë lejuar leximin e Kuranit për të vdekurit, me qëllim që ky lexim t’u llogaritet atyre si sadaka, andaj edhe kanë lejuar leximin e Kuranit dhe bërja hatme për të vdekurit, pra e kanë lejuar nga ky aspekt apo qëllim. Kurse, shumë prej dijatërve që kanë ndaluar një gjë të tillë, kanë thënë: “Çështja e ibadeteve qëndron kështu: ‘Ibadetet janë gjëra që nuk guxojnë të veprohen, përpos nëse vjen një argument i cili legjitimon ndonjë adhurim, andaj nuk lejohet legjitimiteti i ndonjë adhurimi pa ardhur argumenti i saktë dhe i qartë për të (sepse ibadetet janë teukifije e jo ixhtihadije).”
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush vepron një vepër e cila nuk është prej neve, ajo vepër është e refuzuar.” [1].

Nuk ka argument të qartë i cili legjitimon leximin e Kuranit për të vdekurit. Obligohemi të qëndrojmë në bazë dhe të bëjmë ato adhurime që na ka lajmëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, andaj mos të lexojmë Kuran për të vdekurit. Argumentet që na lajmrojnë se gjërat që i shkojnë të vdekurëve janë:
1. Lëmosha.
2. Lutja, duaja.
3. Kryerja e haxhit.
4. Kryerja e umres.
5. Larja e borxhit.
Për këto gjëra përfiton i vdekuri. Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Nëse vdes i biri Ademit, i ndërprehen të gjitha veprat e tij, përpos tre prej tyre: lëmosha rrjedhëse, dituria përmes të cilës përfitojnë të tjerët dhe lënia e ndonjë pasardhësi të hajrit (të dobishëm) i cili lutet për të.” [2]

Allahu i Madhëruar, thotë: “Edhe ata që vijnë pas tyre (pas sahabëve) – thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve; O Zoti ynë, Ti je, me të vërtetë, i mirë dhe mëshirues!” (Hashr: 10)

Allahu i Madhëruar i lavdëroi ata që bëjnë dua për ata që kanë besuar dhe kanë vdekur me iman, dhe kjo njëherazi aludon legjimitetin e duasë për të vdekurit e muslimanëve, duaja dhe sadakaja pra i bëjnë dobi të vdekurëve musliman, duke u bazuar në hadithin dhe ajetin e lartëpërmendur.

Themi se:
Ti që do të i këndosh të vdekurit hatme dhe i dhuron para atij që e lexon hatmen për të vdekurin, më së miri merri ato para dhe dhuroi sadaka me nijet për të vdekurin, që të përfitosh ti dhe i vdekuri, e themi një gjë të tillë që të largohesh nga dyshimi dhe runa Zot nga rënia në bidat.

Erdhi një njeri tek Pejgamberi ﷺ dhe i tha: ‘O i Dërguar i Allahut, nëna ime ka vdekur dhe nuk ka lënë ndonjë porosi, mendoj se po t’i mundësohej do të më porosiste për dhënie sadaka (lëmoshë), a merrë nëna shpërblim pasi ka vdekur tashmë nëse unë dhuroj për të sadaka?’ Pejgamberi ﷺ i tha: “Po.” [3].

I Dërguari i Allahut ﷺ, na bëri me dije se lëmosha i bënë dobi të vdekurit, gjithashtu haxhi, umreja, larja e borxhit, për të gjitha këto që u cekën kanë ardhur hadithe (argumente nga suneti).

Mirëpo, leximi i Kuranit për të vdekurit, dhurimi (sevapi) i leximit të Kuranit për të vdekurin, hedije (dhuratë) për të vdekurin leximi i Kuranit, agjërimi nafile për të vdekurin, të gjitha këto nuk i shkojnë të vdekurit, sepse nuk kanë bazë (argument) të shëndoshë dhe janë jo legjitime në islam.

Shejh Ibn Bazi, “Mexhmu’u Fetaua ue mekalat muteneuiah” 9/136-141

Përktheu: Suad Shabani

———————————-

[1] Muslimi nr. 1718, nga hadithi i Aishes radijAllahu anha

[2] Muslimi nr. 1231, nga hadithi i Ebu Hurejres radijAllahu anhu

[3] Buhariu nr. 1388, Muslimi nr. 1003, nga hadithi i Aishes radijAllahu anha